”Super Mario” që mund të shpëtojë Italinë, merr mandatin për të krijuar qeverinë e re

Italia është në një krizë të thellë politike, kjo pas dorëheqjes së kryeministrit Giuseppe Conte dhe mosarritjes së një dakordësie mes palëve për një koalicion. Presidenti italian, Sergio Mattarella këtë të mërkurë e ka mandatuar Mario Draghin për të formuar qeverinë e re.

Draghi njihet shumë në Europë, pasi ka drejtuar Bankën Qendrore Europiane në momentet më të vështira të kontinentit të vjetër, atëherë kur ishte mbërthyer nga kriza ekonomike. ”Supermario” e kanë quajtur që prej atëherë Draghi-n. Tashmë i takon atij që të vendosë nëse do ta marrë këtë sfidë të re.

”Italiani që shpëtoi Europën duhet që tashmë të jetë në gjendje që me prestigjin e tij të marrë një mazhorancë solide në parlament”, shkruajnë mediat. Emri i Draghi-t doli në skenë në momentin që Giuseppe Conte dha dorëheqjen. Ai shihet si personi që mund të bëjë bashkë palët dhe të tejkalojë këtë krizë. Për shumë analistë, kjo është karta e fundit e përdorur për të mos shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme që do ta linin vendin në paqartësi në mes të një krize shëndetësore, sociale dhe ekonomike shkaktuar nga Covid-19.

Për shumë njerëz, Mario Draghi shikohet si personi që shpëtoi Europën, pasi vendosi konsensus mes shteteve në 2011-ën. Ai njihet për moton “çfarëdo që të jetë e nevojshme”. Draghi uli tensionet mes shteteve pasi ndaloi tregjet dhe shërbeu si mburojë për vendet për shkak të trendit në vlerësimin e bonove. Ai ka menaxhuar me kujdes BQE-në dhe ekspertët thonë se ndryshoi “kutinë e saj të mjeteve” pa qenë nevoja t’i shtrembëronte rolin dhe qëllimin kryesor.

SHKARKO APP