‘Sytë e ushtarëve të kalifatit ende në Jerusalem’, Shteti Islamik kërcënon Izraelin me sulme

Shteti Islamik ka kërcënuar Izraelin, ndërsa ka deklaruar se ky vend do të jetë në shënjestër të sulmeve të tij. Grupi publikoi të hënën një audio-mesazh online, i cili thuhet se transmeton zërin e zëdhënësit të tij, Abu Hamza al-Quraishi. “Sytë e ushtarëve të kalifatit, kudo që të jenë, janë ende në Jerusalem”, tha al-Quraishi në mesazhin prej 37 minutash. “Në ditët që vijnë, me dëshirën e Zotit, do të shihni se çfarë ju dëmton dhe çfarë do t’ju bëjë t’i harroni tmerret që i keni përjetuar”, tha al-Quraishi.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e mesazhit. Në vitin 2014, Shteti Islamik ka shpallur të ashtuquajturin kalifat në disa territore të Sirisë dhe Irakut, ku ka kontrolluar gjithçka- nga monedha deri te plan-programi mësimor. Nën presionin e operacioneve të kombinuara ushtarake, kalifati ka kolapsuar vitin e kaluar dhe grupi është shpartalluar.

Ish-udhëheqësi i grupit, Abu Bakr Al Baghdadi, është vrarë në një sulm të forcave amerikane në Siri, po ashtu vitin e kaluar. Megjithatë, ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që Shteti Islamik të rigrupohet.

SHKARKO APP