Tajvan, çekët inatosin Pekinin
Kina ka akuzuar Republikën Çeke për oportunizëm politik dhe ka kërcënuar vendin se vizita e fundit e zyrtarëve të saj në Tajvan do dëmtojë rëndë marrëdhëniet dypalëshe.
Një delegacion prej 90 vetash i kryesuar nga presidenti i Senatit çek, Milosh Vistriçil, nisi të dielën takimet katërditore në kryeqytetin tajvanez.
Qëllimi i palëve është të afrohen më tej në fushat ekonomike, ndërsa kryesenatori Vistriçil të martën përgëzoi përpjekjet e territorit aziatik për demokraci dhe pavarësi nga Kina komuniste.
Tajvani qeveriset i pavarur nga viti 1949 por Pekini e konsideron vendin territor të patjetërsueshëm kinez.
“Më lejoni të shpreh personalisht mbështetjen time për Tajvanin dhe vlerësimin më të lartë për lirinë, me një deklaratë modeste por edhe të fortë njëkohësisht. Unë jam tajvanez. Është detyrë dhe detyrim të mbështesim këdo që kërkon demokracinë edhe në kushtet më të vështira.”
Njësoj si me shtetet e tjera kur bëhet fjalë për Tajvanin, Kina e dënoi vizitën e Çekisë duke e quajtur shkelje të hapur të politikës zyrtare që njeh vetëm një shtet kinez.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze denoncoi qëndrimet e kryesenatorit çek për t’u rreshtuar krah forcave antikineze dhe separatiste, duke ndërhyrë në punët e brendshme.
“I bëjmë thirrje edhe publikut të përgjithshëm çek t’i qortojë dhe shmangë këto sjellje keqdashëse dhe dritëshkurtra të kryetarit të Senatit, që kanë dëmtuar marrëdhëniet tona. Shpresojmë se ata që sfidojnë hapur sovranitetin e Kinës nuk do e nënvlerësojnë vullnetin e mirë të 1,4 miliardë qytetarëve kinezë për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e tyre.”
Ndërkohë, në Pragë Ministri i Jashtëm Çek thirri të dërguarin kinez në vend për të sqaruar deklaratat e forta të Pekinit.
Edhe pse Çekia dhe Tajvani nuk kanë raporte formale me njëra tjetrën, vendi europian thith investimet kryesore tajvaneze në Europë, pas Gjermanisë, Holandës dhe Britanisë.