Tbilisi, protesta masive kundër partisë në pushtet
Mijëra banorë në Gjerogji vazhdojnë protestat masive kundër qeverisë, pas vendimit të saj për për të pezulluar negociatat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Protestuesit që mblidhen çdo mbrëmje, janë ndeshur me ndërhyrjen e ashpër të policisë. Mbi 200 persona janë arrestuar gjatë katër netëve të protestave të deritanishme. Fitorja e diskutueshme e partisë në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ në zgjedhjet parlamentare të 26 tetorit gjithashtu ka shkaktuar demonstrata dhe bojkotimin e parlamentit nga opozita. Opozita dhe presidentja pro-perëndimore e vendit kanë akuzuar partinë në pushtet për manipulim të votave, me ndihmën e Moskës.
Një grua u përball me njësinë speciale të policisë në Tbilisi, të martën në mëngjes, ndërsa protestonte kundër vendimit të qeverisë për të pezulluar bisedimet me Brukselin, për anëtarësim në bllokun evropian. “Gjithçka që bëni është kundër Gjeorgjisë”, iu drejtua ajo njësive speciale të policisë. Më pas ajo bëri përpjekje të çajë kordonin e policisë. Nuk ka informacione se çfarë ndodhi me të më pas. Policia përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit të cilët thonë se janë të vendosur t’i vazhdojnë ato deri në anulimin e zgjedhjeve. Kryeministri i vendit, Irakli Kobakhidze, duke iu kundërvënë protestueve tha se përpjekjet për revolucion në vendin e tij do të dështojnë.
“Përpjekja për të organizuar një revolucion të ngjashëm me atë të sheshit Maidan të Ukrainës tashmë ka përfunduar. Unë u bëj thirrje të gjithëve të qetësohen dhe të ruan paqen. Unë mund t’i siguroj të gjithë se do të ketë paqe në këtë vend”, tha Kryeministri Kobakhidze. Kryeministri gjeorgjian i bëri jehonë deklaratës së zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov i cili të hënën tha se “të gjitha shenjat tregojnë se po bëhet përpjekje për një revolucion portokalli”. E ashtuquajtura ‘Kryengritja e Maidanit’ në Kiev filloi në nëntor të vitit 2013 dhe vazhdoi deri në largimin nga pushteti të Presidentit pro rus Viktor Yanukovych, në shkurt të vitit 2014.
Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili u ka kërkuar ndihmë shteteve evropiane, për t’u përballuar me atë që ajo e cilëson si përpjekje të Rusisë për të vënë nën kontroll vendin e saj. Ajo hodhi poshtë pretendimin se demonstratat kundër qeverisë në Tbilisi janë përpjekje për revolucion. “Rusia ka dy vjet që thotë se në Gjeorgji po bëhen përpjekje për të rrëzuar qeverinë që ata mbështesin. E gjithë kjo është një luftë tipike hibride që bëjnë kundër Gjeorgjisë dhe për këtë arsye është kaq e rëndësishme që synimi i kësaj lëvizjeje të kuptohet qartë. Këtu nuk po bëhet një Maidan, nuk është një revolucion, nuk është as Revolucioni i Trëndafilave që kemi pasur në të kaluarën. Është një lëvizje shumë paqësore dhe kushtetuese”, tha gjatë intervistës për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Presidentja Zourabichvili.
Partia në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ fitoi zgjedhjet e kontestuara të 26 tetorit që kryesisht janë parë si referendum për aspiratat e vendit drejt Bashkimit Evropian. Ajo që nxiti demonstratat masive ishte njoftimi i qeverisë për pezullimin e bisedimeve me Brukselin. Ky vendim u mor disa orë pasi Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që i kritikoi zgjedhjet në Gjeorgji si as të lira dhe as të drejta.
Qeveria gjeorgjiane gjithashtu ka miratuar gjithnjë e më shumë ligje represive, të ngjashme me ato në Rusi që godasin lirinë e fjalës dhe kufizojnë të drejtat e komunitetit LGBTQ+. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa gjatë fundjavës njoftoi se ai dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas kanë biseduar me Presidenten Zourabichvili gjatë fundjavës për të dënuar dhunën kundër protestuesve. Zoti Costa theksoi se “veprimet e qeverisë bien ndesh me vullnetin e popullit”. /VOA/