Të respektohen 30 mijë serbë në Shqipëri! Provokon Serbia, pas kërkesave të Ramës
Serbia kërkon të drejtat e minoritetit të tyre në Shqipëri, pasi vlerëson se pakica shqiptare në Serbi i gëzon të gjitha të drejtat sipas standardeve evropiane. Kjo tingullon si ironi, ndaj vizitës së 10 nëntorit të Kryeministrit Edi Rama dhe pretendimeve që ai ngriti në Beograd. Kryeministri Edi Rama, në vizitin historike të pak kohëve më parë në Beograd, gjatë kthimit u ndal edhe në Preshevë, ku ngriti si problem respektimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë zonë. Por anëtari i Bordit të Kuvendit serb për diasporë dhe serbët në rajon, Aleksandër Çotriç,pretendon të kundërtën. – “Serbia kërkon të drejta për minoritetin e tyre në Shqipëri, pasi që pakica shqiptare në Serbi, i gëzon të gjitha të drejtat sipas standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare”, tha ai. Çotriç tha se delegacioni i Parlamentit serb, i përbërë nga anëtarë të diasporës dhe serbë në rajon, vizituan Shqipërinë, e cila nuk ka ligj për minoritetet, ku Serbia e ka të pamundur të nënshkruaj një marrëveshje dypalëshe rreth mbrojtjes së pakicës së saj. Në programin e mëngjesit të televizionit shtetëror serb, Çotriç mendon se në Shqipëri jetojnë rreth 30 mijë serbë, sepse të gjithë përfaqësuesit e pakicave bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, i cili, sipas tij, ishte jodemokratik dhe diskriminues.