Të vërtetat e virusit që ”pushtoi botën”
Pandemia e Covid-19 ka ”pushtuar” botën dhe gjithçka që flitet dhe veprohet, rrotullohet rreth këtij virusi vdekjeprurës. Që pas shfaqjes së virusit në Kinë, me miliona lajme dhe informacione janë dhënë nga të gjitha mediet në botë. Ekspertët besojnë se katër nga pesë persona të infektuar me COVID-19, do të shfaqin simptoma të një intensiteti mesatar në mos tepër të lehta për tu vënë re. “80 përqind e njerëzve do të sëmuren lehtë dhe do të rikuperohen”, tha në një intervistë për WebMd, Dr.Robert Glatter, mjek pranë Spitalit Lenox Hill në Nju Jork.
Nga ana tjetër, ekspertë të tjerë amerikanë kanë bërë krahasime të nivelit të vdekshmërisë nga Covid-19 me atë të SARS që në vitet 2002-2003 shkaktoi panik në mbarë globin. Ky virus kishte një nivel të frikshëm vdekjesh në krahasim me Covid-19, kjo për arsyen se simptomat shfaqeshin rëndë vetëm kur virusi kishte mbërritur në mushkëri. Në rastin e Covid-19, virusi është i drejtpërdrejtë dhe infekton shpejt qelizat. Në të njëjtën kohë, imuniteti përgjigjet me anti-trupa dhe në varësi të organizmit, e lufton atë pa simptoma të forta.
Ky virus mbetet akoma i mistershëm për shkencëtarët, të cilët thonë se gjasat që njeriu të fitojë imunitet prej COVID-19 janë të vogla, që do të thotë se mund të preken sërish prej tij. Në mesin e ekspertëve ka nga ata që besojnë se pikërisht njerëzit që nuk shfaqin simptoma janë përgjegjës për përhapjen masive të Covid-19. Rreth 86 përqind e rasteve të Covid-19 në Kinë nuk manifestuan simptoma gjatë dy javëve të para të epidemisë.