Tension ndërkombëtar diplomatik për 100-vjetorin e gjenocidit armen
Janë orët e fundit të një tensioni të madh diplomatik para skadimit, nesër, të 100-vjetorit të gjenocidit armen, ku Turqia po ushtron presion mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mënjanuar faktin që edhe presidenti amerikan, Barack Obama, pas Papa Françeskut dhe Parlamentit Evropian, të shqiptojë fjalën që Ankaraja nuk dëshiron ta dëgjojë.
Megjithatë, për Turqinë refuzuese, kanë mbërritur tashmë lajme të këqija nga Berlini, pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka telefonuar kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu, për t’i thënë se për Berlinin masakra kundër qindra mijëra armenëve të krishterë në Anadoll, një shekull më parë, ishte ”gjenocid”.
Parlamenti gjerman do ta zyrtarizojë nesër këtë qëndrim.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi dje se i përmbahej idesë se homologu i tij amerikan, Barack Obama nuk do ta njihte gjenocidin armen, me rastin e 100-vjetorit të masakrës kundër të krishterëve armenë në Turqi përgjatë viteve 1915-17.
”Nuk do të më pëlqente ta dëgjoja këtë fjalë (gjenocid – a.jor.) nga presidenti Obama. Dhe nuk parashikoj se do të ndodhë”, deklaroi Erdogan gjatë një konference shtypi.
Sipas medias turke, Ankaraja ka ushtruar presion të madh gjatë ditëve të fundit ndaj Uashingtonit, ku këtë javë ndodhet edhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, për të mënjanuar përmendjen nga ana e presidentit Obama të fjalës ”gjenocid”, fjalë e përmendur nga papa Françesku dhe Parlamenti Evropian.
Obama e ka përmendur fjalën ”gjenocid” para se të zgjidhej president i SHBA-së, në ndërkohë që pas zgjedhjes ai e ka përmendur këtë ngjarje me fjalët armene ”Meds Yeghern” (Gjëma e madhe – shën. përkth.).
Të mërkurën, Davutoglu u përpoq për një çtensionim të situatës duke u ofruar ngushëllimet e vendit të tij pasardhësve të armenëve të masakruar, një përpjekje që nuk rezultoi e suksesshme.
“Ndjesa jo e sinqertë nuk ofron asgjë”, deklaroi presidenti i Komitetit Kombëtar të Armenëve të Amerikës (ANCA), Aram Hamparian.
Në ndërkohë, vazhdojnë përgatitjet për dy përkujtime paralele për nesër.
Në Erevan ato të 100-vjetorit të gjenocidit, ku do të jenë edhe presidentët rus dhe francez, Vladimir Putin dhe François Hollande.
Në Galipoli ato turke për 100-vjetorin e Betejës së Dardaneleve mes trupave turke dhe aleatëve, por pa praninë e emrave të shquar nga politika.
Armenia ka akuzuar presidentin turk, Erdogan se po organizon këtë përvjetor për të hequr vëmendjen e botës nga gjenocidi.
SHBA, që dërguan në Erevan një delegacion të nivelit të lartë, do të dërgojnë në Galipoli vetëm ambasadorin amerikan në Ankara.
Mungon Vatikani pas sulmeve turke kundër papa Françeskut.
Në luftën e propagandës mes Erevanit dhe Ankarasë ka ndërhyrë me një teori të re docenti universitar turk, Cevdet Kirpik.
Sipas tij masakrat kundër armenëve i kanë bërë nacionalistët armenë, të maskuar si turq dhe kurdë.
Një njohje e gjenocidit, përveçse do të plagoste nacionalizmin turk, do të kishte edhe një ndikim të madh ekonomik.
Ashtu si Gjermania pas njohjes së gjenocidit nazist ndaj hebrenjve, Ankaraja do të duhej t’u ofronte kompensime për shpronësim të organizuar qindra mijëra armenëve të vrarë.
Burgje, ministri, grataçela, aeroporte dhe deri ish-pallati presidencial janë ndërtuar mbi toka që u përkasin armenëve.
“Vetëm fjala kompensim ngjall terror në Ankara”, thotë analisti Cengiz Aktar.