Tensionet me Serbinë, kryefjalë e 12 muajve në Kosovë

Tensione, rrugë të bllokuara në veriun e Kosovës, këmbime akuzash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit por edhe shtimi i përpjekjeve ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje qoftë dhe të ndërmjetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, përshkuan vitin 2022 në Kosovë.

Nën hijen e këtyre zhvillimeve Kosova, sikurse edhe vendet tjera të kontinentit u përball edhe me pasojat e agresionit rus në Ukrainë, tkurrje të zhvillimit ekonomik dhe probleme energjetike.

Muaji i fundit i vitit 2022 e gjeti Kosovën me rrugë të bllokuara për rreth tri javë më radhë në veriun e banuar me shumicë serbe. Tensionet në zonë që u ringritën në vjeshtë zunë fill në fillim të verës, kur qeveria e Kosovës vendosi masa të reciprocitetit me Serbinë, duke kufizuar deri në fund të shtatorit përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia dhe deri në fillim të gushtit masën e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serbë që hyjnë në Kosovë.

Më 31 korrik grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës bllokuan rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë. Beogradi akuzoi Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha se “situata për popullin serb në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. “Nëse nuk duan të ruajnë paqen, po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai.

Në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi për destabilizimin e situatës. “Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim”, tha kryeministri Kurti gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë.

Në 2011 Kosova dhe Serbia ranë dakord për një marrëveshje mbi lëvizjen e lirë në bazë të së cilës dokumentet e të dyja palëve zëvendësohen me një fletë-deklarim të përkohshëm. Beogradi ngulë këmbë se marrëveshja nuk ka të bëjë me serbët në veriun e Kosovës.

Mesnatën ndërmjet 31 korrikut dhe 1 gushtit qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve me kërkesën e ambasadorit amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier.

“Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier.

Të inkurajuar nga shtyrja, zyrtarë të Bashkimit Evropian organizuan një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit Serb Aleksandar Vuçiç me 18 gusht, por pa ndonjë rezultat.

“Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, jo, më vjen keq”, tha shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Nëntë ditë më vonë zoti Borrell, tha se Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Diplomatët perëndimor shfaqën shpresën se palët do të përfshihen në kërkim të një zgjidhjeje edhe për përdorimin e targave të makinave, ndërsa po afrohej 1 shtatori kur duhej të rridhte afati dy muajsh për konvertimin e tyre.

Para përfundimit të afatit, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se së bashku me diplomatët evropianë ka kërkuar nga Kosova zgjatjen e afatit për konvertimin e targave për dhjetë muaj.

“Do të shpresoja që ata të reagonin pozitivisht ndaj kërkesës jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të pjesës tjetër të Quint-it, të Bashkimit Evropian dhe të përfaqësuesit special, Miroslav Lajçak”, tha zoti Escobar.

Më 28 tetor qeveria e Kosovës vendosi të modifikojë afatin për konvertimin e targave.

“Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit. Pastaj për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Policët serbë në veriun e Kosovës refuzuan zbatimin e vendimit për targat dhe më 2 nëntor Drejtori i Policisë së Kosovës në atë zonë Nenad Gjuriç, u pezullua nga puna. Dy ditë më vonë punonjësit serb në institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politik braktisën vendet e punës.

Shtetet e Bashkuara sikurse Bashkimi Evropian i cilësuan shqetësuese zhvillimet në veri, ndërsa Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, postoi më dhjetë nëntor në Twitter, se ka biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, më të cilin siç tha, ndau “zhgënjimin me vendimin e Kosovës për të mos zgjatur afatin për targat”.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar në një intervistë me Zërin e Amerikës e vlerësoi mjaft të rrezikshme situatën në veriun e Kosovës.

“Nga pala e Kosovës për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë…Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha zoti Escobar.

Deklarimet amerikane nxitën shqetësime në Kosovë ku udhëheqësit e partive politike opozitare i kërkuan në një takim kryeministrit të Kosovës të bashkërendojë veprimet me aleatët perëndimorë.

“Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se qeveria e dinë në çfarë drejtimi është duke shkuar dhe çfarë veprime duhet të marrë për ta mbajtur situatën në kontroll”, tha kryetari i Partisë Demokratike Memli Krasniqi.

“Kosova nuk duhet të bie pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd e në koordinime shumë më të thella se sa kaq, por duhet ngushtë me aleatët e vet të sigurojë paqen dhe stabilitetin në territorin e vet”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këto shqetësime u përvijuan edhe përgjatë debateve parlamentare. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targat sipas kërkesës amerikane ndërsa.

“Veprimi i dytë që duhet të ndërmarrim të gjithë ne së bashku është dialogu me serbët e Kosovës, jo vetëm nga kjo foltore por një dialog intensiv për t’i kthyer ata në institucione dhe për ta kthyer besimin e tyre në institucionet e Kosovës”, tha zoti Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u takuan më 21 nëntor në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por takimi nuk solli marrëveshje.

“Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne paraqitëm një propozim që presidenti Aleksandar Vuçiç e pranoi, ndërsa kryeministri Albin Kurti jo”, tha zoti Borrell.

Sërish ndërhyri diplomacia amerikane e cila i kërkoi një afat 48 orësh qeverisë në Prishtinë për t’u dhënë një mundësi diskutimeve rreth kësaj çështjeje. Kryeministri Kurti pranoi dhe dy ditë më pas palët u morën vesh që Serbia të ndërpres lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e makinave.

Por, situata në veri mbeti e tensionuar. Grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa policia njoftoi për incidente ndërsa zyrtarët provuan të fillojnë përgatitjet e zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave veriore të caktuara për datën 18 dhjetor.

Zgjedhjet u shtynë për në muajin prill të vitit 2023 por kjo nuk uli tensionet. Arrestimi i një ish pjesëtari të policisë nga radhët e komunitetit serb për sulm ndaj autoriteteve, bëri që rrugët të bllokohen sërish.

Një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i plagosur në një sulm të armatosur në veri, ndërsa u raportuan incidente edhe ndaj pjesëtarëve të policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Me 16 dhjetor Serbia u dorëzoi forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, një letër me të cilën kërkon kthimin e një numri pjesëtarësh të forcave të saj të sigurisë në Kosovë, me gjithë paralajmërimet perëndimore se ajo nuk ka gjasë të pranohet dhe vetëm sa shton tensionet në zonë.

Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake të forcave të tij të sigurisë, ndërsa forcat e NATO-s thanë se ato nuk mund të afrohen më shumë se një mijë metra nga kufiri i Kosovës, pa pëlqimin e KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se kanë marrë garanci nga Kosova se nuk do të ndiqen ata që ngritën bllokadat. Më 28 dhjetor një gjykatë në Prishtinë e liroi nga paraburgimi policin e arrestuar më dhjetë dhjetor dhe pas kësaj presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se serbët do të heqin bllokadat.

Heqja e tyre që u përmbush më 29 dhjetor, zbuti tensionet të paktën për një kohë.

Marrë nga VOA

SHKARKO APP