Tentativat për ndarjen e Bosnjes, SHBA sanksione presidentit serb Dodik
Departamenti Amerikan i Thesarit, njofton se ka vendosur sanksione ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik. Po ashtu thuhet se masat ndaj Dodik janë vendosur për veprat që cenojnë stabilitetin e Bosnje Hercegovinës dhe përfshirjen e tij në afera korruptive.
“Dodiku ka minuar institucionet e Bosnje e Hercegovinës duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës. Për më tepër, Dodik ka përdorur pozitën e tij zyrtare që ka në Bosnje për të përfituar pasuri për vete përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit.
Retorika e tij ndarëse ento-nacionaliste reflekton në përpjekjet e tij për të avancuar këto qëllime politike dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe minojnë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, dhe në këtë mënyrë rrezikojnë stabilitetin më të gjerë rajonal”, tha Departamenti amerikan i Thesarit.