Terrorizmi bërthamor dhe ISIS-i: Sa të frikësuar duhet të jemi?
Nga Natali Giber
Shteti Islamik dëshiron që ne të besojmë se terroristët së shpejti do të jenë të pajisur me armë bërthamore. Autoritetet në Uashington, ku së fundmi janë mbajtur 4 samite mbi sigurinë bërthamore, kanë shprehur shqetësim mbi situatën në Siri dhe Irak. Dhe shërbimet e inteligjencës perëndimore, e dinë se xhihadistët janë duke u përpjekur të shtjenë në duar materiale radioaktive.
Megjithatë nuk ekziston ndonjë precedent serioz i terrorizmit bërthamor.
Në vitin 1995, në një park të Moskës, rebelët çeçenë vendosën një pajisje që më pas u ç’aktivizua dhe që përmbante dinamit dhe cezium. Në vitin 1998, në afërsi të Groznit, çeçenë të tjerë prodhuan një bombë që përmbante substanca të paidentifikuara radioaktive. Në vitin 2003, shërbimet e inteligjencës britanike, gjetën prova që sugjeronin se Al-Qaeda në Afganistan, qe në gjendje të prodhonte një bombë të vogël të pistë, por një pajisje e tillë nuk u gjend kurrë.
Të përballur me këtë kërcënim, ekspertët këshillojnë sensin e përbashkët. Për shembull ata shpërfillin mundësinë që terroristët të arrijnë të grabisin ndonjë raketë bërthamore ekzistuese, duke pasur parasysh se sa komplekse është qasja dhe përdorimi i këtyre armëve.
Ata nuk besojnë as edhe që grupet terroriste mund të prodhojë ndonjë armë në shkallë ushtarake – të paktën jo pa ndihmën e një shteti. “Nëse ju jeni tipi i gotës gjysmë-plot, mund të ngushëlloheni disi duke ditur se skenari më i rëndë, është edhe më pak i mundshmi”- shkruan Elisabet Ivs, kolumniste në Buletinin e Shkencëtarëve Atomikë. Po sa i përket një sulmi të mundshëm në ndonjë stacion nuklear? “Ky rrezik është real”- kanë shkruar specialistët amerikanë Graham Elison dhe Uilliam Tobej në një artikull të publikuar muajin e shkuar nga ”The New York Times”.
Një sulm i tillë “nuk do të shkaktojë një re gjigande në formë kërpudhe, apo vrasë qindra mijëra njerëz”- shpjeguan ata. “Por do të shkaktojë rrjedhjen në atmosferë të sasive të mëdha të rrezatimit, duke ndezur një panik masiv dhe bërë të pabanueshme sipërfaqe të mëdha të tokës”. Një kërcënim edhe më i besueshëm, paralajmërojnë ekspertët, është e ashtuquajtura bombë e pistë, e përbërë nga komponentët radioaktivë që përdoren në beteja kontekste civile. Pajisja mund të kombinojë eksplozivë dhe materiale të mbledhura nga reaktorët kërkimorë, laboratorët mjekësore apo fabrikat industriale.
“Ky është një nga shqetësimet më të mëdha, edhe nëse në analizë të fundit mundësia e përdorimit të tyre është shumë e ulët”- thotë Benxhamin Hotkyvertyr, studiues në Fondacionin për Kërkime Strategjike, një thik-tank me qendër në Paris. Në rast se ndodh një sulm i tillë “ai kryesisht do të çojë në një reagim paniku, në një zonë të kufizuar, por jo në shkatërrime në masë”- shton ai. “Dëmi në njerëz do të jetë më pak i rëndësishëm se sa ajo që mund të shkaktojnë kallashnikovët apo një bombë konvencionale”.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) shqyrton me imtësi çdo incident, kriminal apo i ndonjë lloji tjetër, në lidhje me trajtimin apo transportin e materialit radioaktiv. Lista është alarmante në gjatësinë e saj: 2.734 raste të theksuara ndërmjet viteve 1993-2014. Gjithësesi nga këto, vetëm 442 janë konsideruar vepra penale që përfshijnë zotërimin apo lëvizjet e dyshimta në përgatitjen për trafikim të lëndëve bërthamore dhe radioaktive.
Për shembull, rastet vërtet shqetësuese, që përfshinin uraniumin shumë të pasuruar (13 incidente) apo plutoniumin (3 incidenteve), ishin akoma më pak. Ekspertët besojnë se ky lloj i trafikimit, nuk është i nxitur aq shumë nga kërkesa e organizuar, sesa nga interesat e ofertuesit. Me gjasë të tjera raste të ngjashme, përfshijnë individë që përpiqen të fitojnë të holla, për shkak të qasjes së tyre të privilegjuar tek materiali radioaktiv.
Një tjetër element që duhet patur parasysh, është sasia e përfshirë në këto raste. Ndërsa disa incidente përfshinin konfiskimet e sasive në kilogramë të materialit bërthamor, që potencialisht mund të ndërtojnë një armë të pistë, sipas IAEA, shumica e indidenteve përfshijnë sasi shumë më të vogla dhe jo të mjaftueshme për përdorim efektiv si përbërës të një arme.
“Kërkohen sasi të mëdha që të shpërndajnë në mënyrë efikase lëndën radioaktive nëpërmjet shpërthimit”-vë në dukje Hotkyvertyr. Në fakt, thonë ekspertët, dhjetëra kilogramë do të jenë të nevojshëm – shumë më tepër sesa madhësia e një “molle” që Presidenti Barak Obama përmendi së fundmi në samitin e Uashingtonit.”Sasia më e vogël e plutoniumit – thuajse sa pesha e një kokrre mollë, mund të vrasë dhe plagosë qindra e mijëra individë të pafajshëm”.
Që nga rënia e bllokut sovjetik, shtetet kanë mbetur shumë vigjilente ndaj kërcënimit bërthamor, dhe kanë ndërmarrë përpjekje të përbashkëta për të reduktuar rrezikun. Rusia dhe SHBA-ja kanë ndërmarrë një numër iniciativash që synojnë parandalimin e terrorizmit bërthamor. Franca ka miratuar vendime në përputhje me rrethanat, për shembull duke riatdhesuar reaktorë kërkimorë bërthamorë, nga vende si Kinshasa në Republikën Demokratike të Kongos, dhe Kokodi në Bregun e Fildishtë.
Në samitin e muajit të shkuar në Uashington, Obama tha se përpjekjet globale për të përmirësuar sigurinë bërthamore, kanë hequr nga qarkullimi një sasi materiali që është e barabartë me 150 armë bërthamore, duke e ruajtur atë nga ekstremistët. “Ky është material që nuk do të bjerë kurrë në duart e terroristëve”- tha ai.
Ndikimi më i frikshëm i një bombe të pistë, thonë ekspertët, do të jenë kostot e tij ekonomike – pastrimi i zonës me ndotje radioaktive, neutralizimi e një instalimi jetik – dhe pasojat psikologjike. A do të jenë këto të mjaftueshme për të motivuar grupet terroriste, duke patur parasysh interesin e tyre në mbjelljen e frikës, përmes akteve më ekstreme të dhunës? Kjo është saktësisht çështja që liderët politike, të dëshpëruar për të mos u kapur në bafasi, po përpiqen që t’i japin përgjigjen e duhur tani sa nuk është vonë.
“Le Monde”- bota.al