Thellohen mosmarrëveshjet SHBA-Kinë, ambasadori amerikan largohet nga Pekini
Ambasadori amerikan në Kinë ka njoftuar se do të largohet nga posti në fillim të muajit të ardhshëm, duke mbyllur një shërbim tre vjeçar që është shoqëruar me konflikte tregtare dhe acarim të marrëdhënieve mes dy superfuqive ekonomike.
Terry Branstad, i emëruar nga Presidenti Trump në 2017, e konfirmoi vendimin në një telefonatë me presidentin javën a kaluar, njoftoi të hënën përmes një deklarate ambasada, pa dhënë arsye për largimin.
“Jam më së shumti krenar për punën mbi fazën e parë të marrëveshjes tregtare që ofroi rezultate konkrete për komunitetet amerikane,” citohet të ketë thënë ambasadori gjatë një takimi me stafin të hënën.
Lajmi për largimin e tij u nxor nga media para njoftimit zyrtar nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili postoi një koment në Twitter duke e falenderuar zotin Brandstad për shërbimin e tij.
“Ambasadori Branstad ka kontribuuar për ri-balancimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë, për t’i bërë më të orientuara tek rezultatet, më reciproke, më të drejta,” shkruante zoti Pompeo në një postim pasues në Twitter.
Ministria e Jashtme e Kinës tha se ishte në dijeni të zhvillimeve të pritshme por ende nuk kishte marrë njoftim zyrtar për largimin e zotit Brastad.
Ambasadori Terry Branstad u përfshi kohët e fundit në një acarim të ri diplomatik mes dy vendeve kur e përdtishmja e Partisë Komuniste të Kinës, People’s Daily – E Përditshmja e Popullit – nuk pranoi të publikonte një artikull-opinion të ambasadorit.
Sekretari Pompeo komentoi në Twitter javën e kaluar se Partia Komuniste e Kinësnuk e kishte publikuar artikullin ndërkohë që ambasadori kinez në SHBA “është i lirë të botojë në organe të shtypit amerikan”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian u përgjigj se artikulli i ambasadorit Branstad “ishte plot me boshlleqe, kishte pasaktësi në fakte dhe sulme të paprovokuara kundër Kinës”.
Ambasada amerikane kishte kontaktuar gazetën kineze People’s Daily më 26 gusht, duke kërkua botimin e plotë të atikullit pa redaktime para datës 4 shtator, tha gazeta kineze përmes një deklarate.
73-vjeçari Branstad, nga Ajova, ka qenë guvernator i këtij shteti të rëndësishëm bujqësor nga 1983 -1999 dhe nga 2011- 2017.
Zoti Brandsaw mbërriti në Kinë në 2017, i emëruar si ambassador nga Presidenti Trump. Pak pas mbërritjes, në qershor të vitit 2017, ai njoftoi rikthimin e eksporteve amerikane të mishit në tregun kinez, pasi ishin ndaluar për 14 vjet.“E di që një ndër përparësitë e presidentit është të ulë pengesat tregtare dhe kjo është një nga mënyrat për ta realizuar,” tha ai.
Por marrëdhëniet tregtare pësuan goditje pak kohë më pas, pasi SHBA vendosi tarifa ndaj produkteve kineze dhe Pekini u përgjigj me masa hakmarrëse. Acarime të tjera shpërthyen lidhur me teknologjinë, të drejtat e njeriut dhe koronavirusin.
Ambasadori Branstad ishte i pranishëm në bisedimet tregtare SHBA-Kinë. Faza e parë e marrëveshjeve në janar 2018 nuk zgjidhi ankesat kryesore të palës amerikane.
Në maj 2019, zoti Branstad bëri një vizitë të rrallë në Tibet, ku shprehu shqetësim për ato që SHBA i konsideron si ndërhyrje të Pekinit në liritë e komunitetit budist të Tibetit për të praktikuar besimin e tyre.
“Ai i bëri thirrje qeverisë kineze të angazhohet në dialog domethënës me Dalai Lamën dhe përfaqësuesit e tij, pa parakushte, për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet,” tha ambasada përmes një deklarate./VOA