Tigrei: Krizë humanitare pas luftës, organizatat ndërkombëtare shpërndajnë ushqime dhe medikamente
Banorët e rajonit etiopian të Tigreit po përballen me një krizë humanitare, pasojë e konfliktit luftarak gjashtë javor mes qeverisë qendrore dhe liderëve rajonal.
Ofensiva kundër rajonit të varfër me 6 milionë banorë nisi më 4 nëntor dhe mendohet se ka shkaktuar mijëra viktima dhe gati 1 milion të shpërngulur nga veriu.
Ata që kanë vendosur të qëndrojnë, tani po mbahen me ndihma pasi të mbjellat u janë rrënuar.
Tesfaye Berhe, (fermer): I braktisëm të mbjellat që kishim dhe u larguam nga luftimet. Huliganët erdhën e plaçkitën. Tani kemi frikë a do i konsumojmë dot ato që kemi mbjellë, apo ata do të kthehen sërish.
Rezident: Njerëzit nuk kanë çfarë të hanë e të pinë. Duan ndihma. As të pasurit, importuesit dhe eksportuesit, nuk kanë për të ngrënë.
Kombet e Bashkuara kanë ofruar 35 milionë dollarë ndihma dhe 90 milionë euro të tjera ka premtuar Bashkimi Europian.
Dhjetëra milionë dollarë do të shkojnë edhe për medikamentet e nevojat spitalore për të trajtuar të sëmurët e civilët e plagosur, që ndër të tjera ndeshen edhe me rrezikun e Covidit-19.
Burimet ushqimore dhe mjekësore i kemi, por ka zona që kanë probleme me sigurinë, me rendin, që nuk kanë struktura në vend dhe kjo vështirëson shpërndarjen, thotë një zyrtar lokal.
Kryeministri i Etiopisë, Abi Ahmed, njëkohësisht fitues i Nobelit për Paqen, ka deklaruar se ushtria e tij e ka zmbrapsur frontin kundërshtar nga rajoni verior, ndërsa ka ofruar shpërblim për këdo që ka informacion për kapjen e lidershipit të arratisur të Tigreit.
Qeveria është zotuar për ndihma për banorët e prekur nga luftimet, por edhe është kritikuar nga organizatat ndërkombëtare se po pengon qasjen e tyre për qëllime humanitare.