“Times”: 9 ministra i kërkojnë kryeministrit Cameron daljen e Britanisë nga BE
Të paktën nëntë ministra të qeverisë i kërkojnë kryeministrit David Cameron fillimin e fushatës në favor të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, në rast se bisedimet për rimarrjen e kompetencave nga Brukseli nuk përfundojnë pozitivisht.
Sipas gazetës “Times”, tensioni brenda konservatorëve britanikë është në rritje e sipër përsa i takon çështjes në fjalë si edhe çështjes së afrimit të zgjedhjeve parlamentare.
“Mes konservatorëve ka një pakënaqësi të madhe edhe për kohën e zgjedhur nga Cameroni, i cili ka premtuar një referendum në vitin 2017 për të qëndruar ose jo në Bashkimin Evropian”, – thotë një nga ministrat për “Times”, duke mos dashur të identifikohet. Sipas ministrave të tjerë, ky plan mund ta fusë partinë në një debat të lodhshëm dhe stresues, çka mund të sjellë edhe përçarjen e partisë.
Deri tani, Cameron nuk ka sqaruar se çfarë do të bëjë në rast të dështimit të bisedimeve me Brukselin. Në një intervistë me BBC-në, ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso ka deklaruar se Cameron ka dobësuar ndikimin britanik në Bashkimin Evropian dhe ka përdorur një retorikë agresive ndaj Brukselit.