Tokio, Japonia dhe Kina rifillojnë pas katër vitesh bisedimet për sigurinë
Japonia dhe Kina rifilluan sot bisedimet e nivelit të lartë për sigurinë mes dy vendeve, të parat pas katër vitesh, në ndërkohë të mosmarrëveshjeve mbi çështje territoriale dhe mbi historinë e periudhës së luftës.
Gjithashtu, zyrtarë kinezë dhe japonezë të çështjeve të jashtme dhe të mbrojtjes pritet të fillojnë diskutimet për gjetjen e një mekanizmi për mënjanimin e përplasjeve të paqëllimshme në det. “Mund të thuhet se marrëdhëniet kino-japoneze po përparojnë gradualisht”, tha zëvendësministri i Jashtëm japonez, Shinsuke Sugiyama, sipas agjencisë Kyodo. Ai iu referua takimit mes kryeministrit japonez, Shinzo Abe dhe presidentit kinez, Xi Jinping në nëntor. “Megjithatë, fakti është që Japonia dhe Kina kanë ende shqetësime rreth politikave respektive të sigurisë”, theksoi Sugiyama. Sipas Pekinit, dy palët janë fqinjë të rëndësishëm dhe fuqi rajonale dhe ky takim ishte domethënës për ruajtjen e paqes në rajon.