Tony Blair do të mbikëqyrë të ardhmen e Gazës si pjesë e “Bordit të Paqes” të Trumpit
Sir Tony Blair do të mbikëqyrë të ardhmen e Rripit të Gazës si pjesë e “bordit më të madh dhe më prestigjioz të mbledhur ndonjëherë”, ka deklaruar Donald Trump. Sipas planit të paqes të presidentit amerikan, territori do të qeveriset nga një qeveri palestineze jopolitike, tranzitore, e mbikëqyrur nga një Bord Paqeje. Ish-kryeministri laburist është emëruar si pjesë e “bordit ekzekutiv themelues” të këtij organi, së bashku me disa emra të profilit të lartë nga Shtëpia e Bardhë e Trumpit.
Ndër anëtarët e këtij bordi do të jenë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhëndri i zotit Trump, Jared Kushner, i cili negocioi planin e paqes, dhe Steve Witkoff, i dërguari special i presidentit për Lindjen e Mesme. Anëtarët e tjerë të emëruar janë miliarderi Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe zëvendëskëshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Robert Gabriel. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se secili do të mbikëqyrë një “portofol të përcaktuar, thelbësor për stabilizimin dhe suksesin afatgjatë të Gazës”. Zoti Trump, i cili do të veprojë si kryetar i Bordit të Paqes, u shpreh me entuziazëm për anëtarësinë e tij në një postim në Truth Social, duke shkruar: “Mund të them me siguri se është Bordi më i Madh dhe më Prestigjioz i mbledhur ndonjëherë, në çdo kohë, në çdo vend.”
Sir Tony, zoti Rubio dhe zoti Kushner u emëruan gjithashtu si anëtarë të një Bordi Ekzekutiv të Gazës. Ky organ është ngarkuar me mbështetjen e “qeverisjes efektive” dhe ofrimin e shërbimeve “që avancojnë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin për popullin e Gazës”. Ndërkohë, Ali Sha’ath, i përshkruar nga administrata Trump si “një lider teknokratik gjerësisht i respektuar”, do të drejtojë një Komitet Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG). Në këtë rol, Shtëpia e Bardhë tha se ai do të “mbikëqyrë rivendosjen e shërbimeve thelbësore publike, rindërtimin e institucioneve civile dhe stabilizimin e jetës së përditshme në Gaza, duke hedhur themelet për një qeverisje afatgjatë dhe të vetëqëndrueshme”.
Gjithashtu u emërua Nickolay Mladenov, ish-i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, i cili është caktuar Përfaqësues i Lartë për Gazën, duke vepruar si “lidhja në terren midis Bordit të Paqes dhe NCAG-së”, sipas njoftimit. Ndërsa Gjeneral Major Jasper Jeffers do të komandojë një “Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit”, përgjegjëse për operacionet e sigurisë, demilitarizimin dhe dorëzimin e sigurt të ndihmës humanitare dhe materialeve të rindërtimit, tha Shtëpia e Bardhë.
Gaza është përfshirë nga konflikti që nga tetori 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi nisën një sulm të papritur ndaj Izraelit. Ky sulm, i cili mori jetën e rreth 1,200 personave dhe 251 të tjerë u morën peng, u pasua shpejt nga një ofensivë izraelite në Gaza, e cila zgjati dy vjet dhe vrau edhe 70,000 persona, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës të drejtuar nga Hamasi. Një armëpushim i brishtë hyri në fuqi në tetor, por Gaza vazhdon të shohë shpërthime të dhunës vdekjeprurëse, me Izraelin dhe Hamasin që akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të paqes.
KOHA JONË SONDAZH

