Tortura vazhdon të jetë e përhapur në botë
Një çekiç, një hinkë, një danë, instrumente, që mund të gjenden në çdo shtëpi, por që janë pjesë përbërese të një qelie torture. "Njerëzit kanë mjaft fantazi, kur është fjala për të torturuar, por metodat mbeten disi të ngjashme megjithë kalimin e shekujve", thotë Barbara Hohl e e cila ka ngritur për organizatën për të drejtat e njeriut, Amnesty International, një "shop për torturën" në Berlin. Si në një dyqan gjen të vendosura pajisjet, të cilat në shikim të parë janë të zakonshme. Pranë tyre në formën e një informacioni për produktin shkruhet shkurtimisht se çfarë është bërë me to në 141 vende të botës në pesë vitet e fundit. "Perfekt për thonjtë dhe thonjtë e gishtërinjve" është shkruar në një kartë, ku gjendet një pincë kuq e zi. "Ne duam të vetëdijësojmë njerëzit në kohën e pazareve të para krishtlindjeve", shpjegon Hohl aksionin, prej të cilit disa vizitorë bëhen me të vërtetë keq. Por udhëheqëses së kësaj fushate aq i bën: "objekte të përditshme, që përdoren në të gjithë botën – fare të thjeshta dhe të lira", shton ajo.
Tortura është temë qendrore edhe për Maria Scharlau, eksperte për të drejtën ndërkombëtare pranë Amnesty International. "30 vjet më parë është miratuar Konventa e OKB-së kundër Torturës dhe ajo më në fund duhet të zbatohet në jetë", thotë ajo me rastin e ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut (10 dhjetor). Scharlau e sheh luftën kundër torturës si themelore për punën e OJQ-së së saj. "Tortura është një sulm i drejtpërdrejtë në dinjitetin e njeriut!" Shqetësuese thotë Scharlau janë vendet e shumta, ku edhe pse ekziston një legjislacion model kundër torturës, praktikat çnjerëzore vazhdojnë megjithatë të kryhen. Filipinet i përkasin këtij grupi: "Policët filipinas përdorin metoda keqtrajtimi, si elektroshokun, simulimin e ekzekutimeve, tortura me ujë, rrahje dhe dhunime", e përshkruan Scharlau situatën. Thuajse asnjëherë torturuesit nuk nxirren para drejtësisë.
Keqtrajtime në Gjermani
Në një sondazh global të kryer nga Amnesty International me 21.000 pjesëmarrës në maj të këtij viti dyzet për qind thanë, se ata mund të torturoheshin, në rast se arrestoheshin në vendin e tyre. Frika nga tortura është më e madhe në Brazil dhe Meksikë. Katër nga pesë vetë në Brazil kanë frikë, dy të tretat në Meksikë. Praktika mizore janë konstatuar veçanërisht në Korenë e Veriut, Uzbekistan dhe Siri. Përmirësime të mëdha ka bërë Turqia, konstaton Amnesty, por në burgje ka ende sulme të ndryshme.
Edhe në Gjermani rreth një e treta e të anketuarve ka frikë se mund të torturohet. "Këtu ka më shumë keqtrajtime në detyrë", thotë Barbara Hohl. Ndryshe nga tortura, këtu nuk konstatohet një plan, apo veprim i qëllimshëm, për ta detyruar tjetrin të tregojë për shembull: "Policët, që torturojnë, shpesh kanë përjetuar vetë dhunë gjatë përgatitjes së tyre profesionale. Është një kulturë e dhunës, që e nxit këtë sjellje", thotë menaxherja e fushatës. Shpesh policët janë nën presion të fortë për të qenë të suksesshëm, ose metodat çnjerëzore sanksionohen në emër të sigurisë publike.
Obama relativizon torturat nga SHBA
Një shembull i keq, se si sakrifikohen të drejtat e njeriut për një ideal më të lartë, janë SHBA dhe të ashtuquajturat "teknikat e zgjeruara të marrjes në pyetje" në luftën kundër terrorit. Megjithë publikimin së fundi të një raporti mbi praktikat e CIA-s, aktivistët e Amnesty International nuk mund të konstatojnë ndonjë ndryshim. Gjërat relativizohen, thotë Maria Scharlau. Edhe me qeverinë gjermane ekspertja ligjore është e pakënaqur. Ajo duhet të pozicionohet më qartë në lidhje me torturën dhe të ushtrojë ndikimin e saj. Si shembull Scharlau përmend një marrëveshje sigurie, e cila është duke u negociuar momentalisht me Meksikën. "Duhet të rinegociohet dhe të shtohet një klauzolë për të drejtat e njeriut."
DW