Tragjedi në det/ Fundoset varka me 50 emigrantë, 9 të vdekur dhe 20 të zhdukur (Foto)
Një tjetër tragjedi emigrantësh në det. Një varkë e cila mendohet se transportonte 50 emigrantë është përmbytur gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, një milje larg brigjeve të Lampedusës.
Rojet bregdetare arritën të rikuperonin trupat e 9 viktimave.
22 të mbijetuar u shpëtuan dhe u transferuan tashmë në port.
Midis personave të zhdukur mendohet se janë edhe 8 fëmijë. Prokuroria ka nisur hetimin për anijen.
Çfarë ndodhi në det?
Sipas hetimeve paraprake, kur rojet bregdetare dhe policia financiare u afruan pranë varkës për transferimin, emigrantët u zhvendosën të gjithë në njërën anë të mjetit lundrues duke e përmbusur me kokë poshtë në det.
Ndërhyrja e rojes bregdetare u nxit nga raporti i marrë nga Qendra Unike e Reagimit në lidhje me një varkë të vogël me rreth 50 migrantë. Siç është raportuar nga rojet bregdetare në një deklaratë, “rreth orës 00:15 anija patrulluese shikoi varkën e mbingarkuar 6 milje larg ishullit të Lampedusas dhe pas disa minutash mbërriti edhe njësia e rojes së financave. Gjatë operacionit të shpëtimit, zhvendosja e papritur e emigrantëve bëri që anija të përmbyset “.
Përveç njësive detare të rojes bregdetare dhe policisë financiare, një helikopter është angazhuar në operacionin e shpëtimit.
Kryetari i Bashkisë së Lampedusas: “Boll me masakra në det
Kryebashkiaku i Lampedusas, Totò Martello, tejet i prekur nga ngjarja ka kërkuar masa të menjëhershme.
“Boll më me të tilla masakra në det. Mjafton të mblidhen kufomat që notojnë. Ne nuk mund të vazhdojmë të jemi dëshmitarë të njerëzve të varfër që vdesin në det ndërsa ndjekin ëndrrën për të përmirësuar jetën e tyre. Politika duhet të veprojë”.