Tragjedi në Itali, çifti udhëton 100 km me djalin e pajetë në sediljen e pasme
Një ngjarje tragjike është regjistruar në Itali, ku një çift udhëtoi për rreth 100 kilometra me djalin e tyre 31-vjeçar të pajetë në sediljen e pasme të makinës, pa e kuptuar se ai kishte ndërruar jetë.
Sipas mediave italiane, familja me origjinë rumune ishte nisur drejt Torinos dhe po udhëtonte në autostradën A21, në segmentin mes Casteggio dhe Vogherës.
Babai ishte në drejtimin e automjetit, ndërsa nëna ndodhej në sediljen e përparme. Djali i tyre 31-vjeçar ishte ulur në pjesën e pasme të makinës. Prindërit menduan se i riu kishte rënë në gjumë dhe gjatë udhëtimit u përpoqën disa herë ta zgjonin, por ai nuk reagoi.
Vetëm pasi ndaluan në një zonë pushimi, çifti kuptoi se situata ishte shumë më e rëndë. Ata konstatuan se djali nuk kishte puls dhe telefonuan menjëherë numrin e emergjencës 112.
Ekipet mjekësore mbërritën në vendngjarje, por nuk mundën të bënin asgjë tjetër përveçse të konstatonin vdekjen e 31-vjeçarit.
Prindërit u thanë autoriteteve se djali kishte folur për herë të fundit rreth 100 kilometra më herët, ndërsa më pas nuk kishte dhënë më asnjë reagim.
Sipas dëshmisë së tyre, 31-vjeçari kishte pasur më herët probleme të lehta me zemrën. Dyshimet paraprake janë se ai mund të ketë pësuar një problem të papritur shëndetësor gjatë udhëtimit.
KOHA JONË SONDAZH

