Tragjedia në Majami, shtohen viktimat, 156 veta mbeten të zhdukur
156 veta mbeten të zhdukur, të paktën 5 persona nxirren pa jetë nga rrënojat
Raporti i vitit 2018, dyshimi mbi gabime të rënda teknike në strukturën e godinës
Autoritetet amerikane e kanë rritur në në pesë numrin e viktimave të gjetura pas rrëzimit të një godine banimi në qytetin Majami të Floridës. Ndërsa mbi 150 veta ende janë të zhdukur po dalin detaje për gabime të rënda teknike me ndërtimin e godinës fare pranë bregdetit.
Zbulimi i një tjetër trupi të pajetë në rrënojat e godinës 12-katëshe që u rrëzua të enjten në qytetin amerikan të Majamit, e ka çuar në 5 numrin e viktimave pas katër ditëve kërkim.
Daniela Levin Kava, kryebashkiakja e qytetit, tha në fundjavë se 156 veta mbeten të zhdukur nga rrëzimi i njërës prej kullave të kompleksit.
“…Nga kërkimet kemi zbuluar disa eshtra njerëzish. Identifikimi i këtyre viktimave mbetet një proces shumë i vështirë dhe po testojmë mostra ADN-sh nga familjarët e jashtëm.”
Të shtunën u zbulua edhe një raport i vitit 2018 i cili hedh dyshime mbi disa gabime strukturore të godinës, dhe përkatësisht mbi themelet e saj 40-vjeçare të cilat po gërryheshin prej ujit të detit.
Ndërsa po hetohen shkaqet e rrëzimit, vijojnë përpjekjet me makineri, dronë dhe qenë të stërvitur për të diktuar të mbijetuarit.
Banorët e Majamit dhe të afërm mbeten ende me shpresë teksa përditë kryejnë lutje në memorialin e posaçëm për viktimat.
“Gjyshja ime qe brenda ndërtesës kur u shemb. Kur mbërritëm në 2:30 të natës së aksidentit, im atë dhe djali i saj po ecte dhe mundi të gjejë kartolinën e ditëlindjes së saj. Kanë kaluar shumë ditë por kemi shpresë dhe besim.”
55 nga 135 apartamentet e kompleksit 12-katësh u rrëzuan të enjten pas mesnatës duke krijuar një gërmadhë pak dhjetëra metra nga bregdeti i Majamit.