Tre presidentë në Buckingham Palace, që rrezikojnë NATO-n dhe rendin botëror

Pierre Haski/ Nëse një autor teatral do të donte të vinte në skenë botën e vitit 2019, ai me siguri do të imagjinonte një samit ndërkombëtar në Londër, me një darkë në Buckingham Palace dhe tre personazhe kryesorë gati të karikaturuar.

Autori ynë do të përshkruante ditën e 3 dhjetorit 2019, ku do të paraqiteshin Donald Trump, Emmanuel Macron dhe Rexhep Tajip Erdogan, presidentët e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Turqisë, të mbledhur për samitin e NATO-s.

Sidoqoftë, në një krijim letrar, do të ishte e vështirë të bëhej i besueshëm fakti që këta tre individë i përkasin të njëjtës aleancë politiko-ushtarake, sepse dallimet dhe vizioni i tyre për botën janë vite dritë larg. Megjithatë, ky është realiteti, një realitet që flet shumë për evolucionin politik të viteve të fundit dhe për kontradiktat që jetojmë.

Personifikim i pushtetit

Aspekti më i pabesueshëm, siç tregohet nga komentet e mediave të përtej oqeanit, pas konferencës së përbashkët për shtyp të Trump dhe Macron, është se askush nuk bën asnjë përpjekje për të fshehur këtë distancë. Të tre kokat e shtetit mishërojnë tre situata të ndryshme dhe ndajnë një tendencë të qartë drejt personifikimit të pushtetit, që është rikthyer në modë. Secili në mënyrën e vet, të tre përpiqen të ndryshojnë rendin botëror dhe ta formësojnë atë sipas imazhit të vet.

Donal Trump është kryeshkatërruesi, miliarderi që në befasinë e përgjithshme ka marrë kontrollin e fuqisë së parë botërore dhe sot dobëson sistematikisht mekanizmin shumëpalësh, për të afirmuar epërsinë e Shteteve të Bashkuara. Në shtëpi, Trump po përballet me një procedurë shkarkimi, por ai mban shpresat për t’u rizgjedhur vitin e ardhshëm.

Emmanuel Macron është gjithashtu një shkatërrues, por me tendenca më liberale. Në vitin 2017 zgjedhja e tij u përshëndet me një frymëmarrje lehtësimi nga ata që kishin frikë prej valës populiste, por që nga ajo kohë vullnetarizmi i tij i tepruar, ka ndeshur rezistencë të fortë, si në Francë edhe në Evropë. Macron, sot, është në prag të një përballjeje sociale, që do të përcaktojë vazhdimin e mandatit të tij.

Në fund është turku Rexhep Tajip Erdogan, mishërimi i njeriut të fortë, që po shfaqet në të gjitha kontinentet. Një islamist-konservator gjithnjë e më autoritar me një prirje drejt fyerjes, Erdogan kërkon të pritet si Sulltani i ri i Turqisë moderne, kur ai është para së gjithash një vrasës i lirisë në vendin e tij.

Aleancë e paqëndrueshme

Çfarë mund të na mësojnë këta tre liderë për epokën në të cilën jetojmë? Para së gjithash, rregullat e lojës së djeshme nuk funksionojnë më dhe rregullat e së nesërmes nuk ekzistojnë ende. Nuk ekzistojnë më “udhëheqësit e botës së lirë”, aleatë të devotshëm dhe vasalë të largët. Vetë koncepti i aleancës është i paqëndrueshëm, siç tregohet nga çështja e Turqisë.

Për më tepër, është e qartë se ekuilibri i fuqive po ndryshon dhe shumë nuk janë të vetëdijshëm për të. Evropianët e nënvlerësojnë aftësinë e tyre kolektive, duke vënë në dyshim fjalën “fuqi” të propozuar nga një president francez i akuzuar se ka ëndrra të madhështisë.

Samiti i Londrës na mëson se aleancat, si familjet, janë në gjendje t’i rezistojnë konfrontimeve më të vështira, sepse në fund të fundit, jashtë është gjithnjë më ftohtë se brenda, dhe me kontradiktat mësohesh të jetosh. / France Inter – Bota.al

 

SHKARKO APP