Tregjet reagojnë ndaj sulmit të SHBA – Dollari dhe bursat amerikane, në rënie. Ari dhe nafta rriten ndjeshëm

Kontratat “futures” për indekset e titujve të kapitalit në Shtetet e Bashkuara ranë me më shumë se 1 %, pas sulmit ajror të Shteteve të Bashkuara që vranë komandantin e lartë të Iranit, ç’ka rriti ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme. Kontratat për Dow Jones ranë me 1.2%, për Standard & Poor’s me 1.35% dhe për Nasdaq, me 1.57%. Aksionet e gjigantëve të naftës, Exxon Mobil dhe Chevron, u rritën me 1.3% dhe 1.2% në mënyrë respektive.

Kjo erdhi për shkak se nafta ishte aktivi me rritjen më të madhe në bursë si pasojë e sulmit, pasi shtoi mbi 5% të vlerës. Valutat që perceptohen si të sigurta, si jeni japonez, u rritën në nivelet më të larta ndër muaj, si pasojë e sulmit amerikan. Jeni japonez preku nivelin më të lartë në 2 muaj kundër dollarit, në 107.9. Dollari i Hong Kongut u rrit në nivelin më të lartë në dy vite e gjysmë.

Franga zvicerane, një tjetër valutë e mbrojtur nga rreziku, u rrit në nivelin më të lartë në 4 muaj e gjysmë kundër euros, në 1.0824. Dollari u rrit në nivelin më të lartë javor kundër euros dhe solli gjithashtu rënien e paundit në 1.3058 dollarë.  Ndërkohë, indeksi që mat performancën e dollarit ndaj shportës kryesore të valutave, ra në nivelin më të ulët në 9 javë. Ari, një aktiv tjetër i sigurt, u rrit me mbi 1% dhe i’u drejtua nivelit më të lartë në 6 vite, ndërkohë që investitorët kërkuan mbrojtje, si pasojë e sulmit amerikan në Irak. Ari preku 1,548 dollarë për onz, në rritje me 1.3%.

SHKARKO APP