Trump: Brexit vështirëson tregtinë, Boris Xhonson njeri fantastik
Në një intervistë radiofonike, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha të enjten (30 tetor) se pakti i dakordësuar me Brukselin vështirëson marrëveshjet tregtare dypalëshe.
“Ne duam të bëjmë tregti me britanikët, edhe ata me ne. Por të jem i sinqertë me ju, disa aspekte të marrëveshjes së tanishme nuk e lejojnë këtë, na e pengojnë. Boris Xhonson duhet të ketë kujdes,” deklaroi Trump duke iu referuar kryeministrit britanik.
Selia e ekzekutivit në Londër sqaroi se Brexit-i nuk i ndalon marrëveshjet për tregti të lirë me shtete të tjera të botës, ndërsa i garanton vendit kontroll të plotë mbi ligjet, tregtinë, kufijtë dhe financat shtetërore.
Trump foli edhe për zgjedhjet e reja në Britani, duke mbështetur një mandat të ri të kryeministrit Xhonson.
“Boris është një njeri fantastik dhe njeriu i duhur për kohën. Nëse ka përkrahje është i pamposhtshëm, kurse Xheremi Korbin do ishte zgjidhja më e keqe për vendin, do e çonte vendin keq e më keq,” u shpreh Trump.
Laburisti Korbin reagoi duke e akuzuar presidentin amerikan për ndërhyrje në proceset e brendshme zgjedhore.
Votimet e muajit të ardhshëm duket se do të favorizojnë konservatorët në pushtet me gati 15 për qind mbi laburistët, që nga ana e tyre kanë premtuar transformim të vendit dhe luftë kundër të korruptuarve.