Trump dhe plani për një Amerikë që ”njeh veç dy gjini”
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka bërë një premtim të fortë. Ai ka thënë se do të ndalojë ”çmendurinë transgender”, ku theksoi se do të firmosë urdhra ekzekutivë për të ndaluar “deformimin seksual të fëmijëve,” për të larguar çështjet transgjinore nga ushtria dhe sistemet arsimore amerikane.
”Unë do të nënshkruaj urdhra ekzekutivë për të ndaluar derformimin seksual të fëmijëve, për të larguar çështjet transgjinore nga ushtria, shkollat fillore, të mesme dhe gjimnazet”,-tha Trump. Ai shtoi gjithashtu se do të “mbajë burrat larg sporteve të grave,” duke theksuar se do të jetë politika zyrtare e qeverisë amerikane që ekzistojnë vetëm dy gjini, mashkull dhe femër.
Çështjet transgjinore dhe debati politik
Deklaratat pasqyrojnë një përshkallëzim të tensioneve mbi të drejtat LGBTQ në Shtetet e Bashkuara, ndërsa shtetet e kontrolluara nga Demokratët dhe Republikanët kanë ndjekur politika të kundërta lidhur me trajtimin mjekësor dhe librat që trajtojnë këtë tematikë. Në një zhvillim të fundit, Kongresi amerikan miratoi buxhetin vjetor të mbrojtjes duke përfshirë një dispozitë për të bllokuar financimin e kujdesit shëndetësor për fëmijët transgjinor të anëtarëve të shërbimit ushtarak.
“Epoka e artë” (sipas Trump-it)
Trump përdori fjalimin e tij si një moment triumfi, duke bërë premtime të mëdha për mandatin e tij të dytë dhe duke kritikuar ashpër katër vitet e administratës Biden-Harris. “Më 20 janar, Shtetet e Bashkuara do të kthejnë faqen përfundimisht nga katër vite të gjata, të tmerrshme, të dështimit, paaftësisë dhe rënies kombëtare,” tha ai, duke shtuar se një “epokë e re e paqes, prosperitetit dhe madhështisë kombëtare” do të fillojë. Trump gjithashtu premtoi të përfundonte luftën në Ukrainë dhe të ndalonte kaosin në Lindjen e Mesme. ”Unë do të ndaloj Luftën e Tretë Botërore”,-tha ai, duke shtuar: ”Epoka e artë e Amerikës po afron”.