Trump evazion fiskal me vite

Presidenti amerikan Donald Trump ka shfrytëzuar hiletë e sistemit fiskal për të shmangur pagesën e taksave për vite me radhë edhe pse është një miliarderët e botës.

Deklaratat tatimore të siguruara nga gazeta “The New York Times” tregojnë se në vitet 2016 dhe 2017, kur Trump sapo ishte zgjedhur president, ai pagoi vetëm 750 dollarë në formë tatimi mbi të ardhurat.

Për 10 nga 15 vitet e fundit, Trump rezulton të mos ketë paguar gjë, ndërkohë që fitoi më shumë se 420 milionë dollarë në marrëveshje me palët e treta.

Presidenti i SHBA-së raportohet se disponon një pasuri totale prej 2,1 miliardë dollarë e akumuluar por edhe e trashëguar pjesërisht nga i ati prej biznesit të pasurive të paluajtshme, të hotelerisë, të ndërtimit të fushave të golfit dhe nga realizimi i programeve televizive.

Në vitin e fundit, organizata që ai drejtonte dikur dhe që tani menaxhohet nga fëmijët e tij ka humbur rreth 1 miliard dollarë si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Në të kaluarën, ish-biznesmeni 74-vjeçar e ka justifikuar mospagesën e tatimeve pikërisht me humbjet e përvitshme pasurore ndërsa ka refuzuar t’i bëjë publike të dhënat tatimore me arsyen se pasuria e tij prej vitesh po vlerësohet nga shërbimi vendor për të ardhurat.

Të dielën ai i mohoi pretendimet e gazetës “The New York Times” se ka kryer evazion fiskal.

“Është lajm i rremë, tërësisht i sajuar. Të njëjtat pikëpyetje u ngritën edhe katër vite më parë. E provuan edhe atëherë ta bëjnë si histori por unë i kam paguar taksat dhe këtë do e tregoj sapo të përfundojë auditi për të ardhurat.”

Deklaratat tatimore të siguruara nga gazeta amerikane pritet të shfrytëzohen për sulme politike pak javë përpara zgjedhjeve të reja presidenciale.

Kundërshtarët politikë më herët e kanë akuzuar presidentin Trump për fshehje të të ardhurave nga biznesi, dhe këto akuza pritet t’i përsërisin edhe të martën në debatin e parë mes kreut të shtetit dhe rivalit të tij demokrat, Xho Bajden.

SHKARKO APP