Trump i kërkoi marrëveshje ‘para se të jetë tepër vonë’, reagon ashpër Kuba
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar ndjeshëm tonin ndaj Kubës, duke i bërë thirrje ishullit që të pranojë një marrëveshje “para se të jetë tepër vonë”, pa specifikuar natyrën e saj. Deklaratat e tij kanë nxitur reagime të menjëhershme nga autoritetet kubane.
“Nuk do të ketë më naftë apo para që shkojnë në Kubë – zero!”, shkroi Trump me shkronja kapitale në platformën Truth Social. “I nxis fuqimisht të pranojnë një marrëveshje, para se të jetë tepër vonë”, shtoi ai.
Sipas mediave ndërkombëtare, i pyetur më vonë nga gazetarët në bordin e avionit presidencial, Trump sugjeroi se një nga çështjet kryesore lidhet me emigrantët kubanë, duke kërkuar që Havana të marrë përsipër trajtimin e personave që janë larguar nga ishulli, veçanërisht ata që ndodhen aktualisht në SHBA. Megjithatë, presidenti amerikan nuk dha detaje konkrete mbi kërkesat e tij.
Reagimi nga Kuba ishte i menjëhershëm. Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel deklaroi në platformën X se Kuba është “një komb i lirë, i pavarur dhe sovran” dhe se askush nuk mund t’i diktojë vendit se çfarë të bëjë. Ai theksoi se ishulli ka qenë “nën sulm nga Shtetet e Bashkuara për 66 vjet” dhe se Kuba është e përgatitur të mbrojë sovranitetin e saj.
Kuba ndodhet nën embargo amerikane që prej vitit 1962, e vendosur gjatë Luftës së Ftohtë dhe e forcuar me kalimin e dekadave. Deklaratat e fundit të Trump vijnë në një kontekst të tensionuar rajonal, vetëm pak ditë pas zhvillimeve të rënda në Venezuelë, aleate e ngushtë e Kubës.
Trump akuzoi Havanën se ka përfituar për vite me radhë nga furnizimet me naftë dhe mbështetja financiare e Venezuelës, duke ofruar në këmbim “shërbime sigurie” për qeveritë e Karakasit. Ai pretendoi se kjo periudhë ka përfunduar.
Marrëdhëniet mes Kubës dhe Venezuelës u formalizuan në vitin 2000, gjatë presidencës së Hugo Chávez, përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi që parashikonte furnizim me naftë në këmbim të dërgimit të mjekëve dhe mësuesve kubanë.
Ndërkohë, Trump ripostoi një mesazh ku sugjerohej se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mund të bëhej një ditë president i Kubës, duke e shoqëruar me komentin: “Kjo më duket mirë!”.
Ministri i Jashtëm kubanez, Bruno Rodríguez, reagoi gjithashtu ashpër, duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara po sillen si një kriminel dhe sundimtar i pakontrolluar që kërcënon paqen dhe sigurinë globale”.
Në rrugët e Havanës, qytetarët shprehën skepticizëm ndaj kërcënimeve amerikane. “Ai nuk do ta prekë Kubën”, tha për AFP një pensioniste 65-vjeçare, ndërsa të rinj të tjerë bënë thirrje për dialog dhe shmangie të dhunës.
Nga ana tjetër, ligjvënësi republikan amerikan Mario Díaz-Balart, me origjinë kubaneze, deklaroi se regjimi në Kubë nuk do të mbijetojë një mandat të dytë të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
KOHA JONË SONDAZH

