Trump kërcënon, por Irani i kujton Afganistanin dhe Irakun

Presidenti i Amerikës, Donald Trump i kërkoi Iranit të ulej në tryezë dhe të arrinte një marrëveshje për armët bërthamore, përndryshe sulmi i ardhshëm i SHBA-së do të ishte shumë më i keq. “Shpresojmë që Irani të ‘ulet në tryezë’ shpejt dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – JO ARMË BËRTHAMORE – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët. Koha po mbaron, është vërtet thelbësore!” shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.

Presidenti republikan i SHBA-së, i cili u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 e fuqive botërore me Teheranin gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, vuri në dukje se paralajmërimi i tij i fundit ndaj Iranit u pasua nga një sulm ushtarak në qershor. “Sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i keq! Mos e bëni këtë të ndodhë përsëri”, shkroi Trump. Ai gjithashtu përsëriti se një “armadë” amerikane po shkonte drejt Republikës Islamike. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara iu përgjigj me të njëjtën monedhë.

“Herën e fundit që SHBA-të u përfshinë gabimisht në luftërat në Afganistan dhe Irak, shpërdoruan mbi 7 trilionë dollarë dhe humbën më shumë se 7,000 jetë amerikane”, tha ajo në një postim në X duke cituar deklaratën e Trump. “Irani është i gatshëm për dialog bazuar në respekt dhe interesa të ndërsjella – por nëse shtyhet, do të mbrojë veten dhe do të përgjigje si kurrë më parë!” Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi tha se nuk kishte qenë në kontakt me të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff ditët e fundit dhe as nuk kishte kërkuar negociata, raportoi media shtetërore.

Swiss Digital Desktop Reklama

Trump tha se një forcë detare amerikane e kryesuar nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln po i afrohej Iranit. Dy zyrtarë amerikanë i thanë Reuters të hënën se Lincoln dhe anijet luftarake mbështetëse kishin mbërritur në Lindjen e Mesme. Anijet luftarake filluan të lëviznin nga rajoni i Azi-Paqësorit javën e kaluar, ndërsa tensionet SHBA-Iran u rritën pas një shtypjeje të përgjakshme të protestave në të gjithë Iranin nga autoritetet e tij klerikale në javët e fundit. Trump ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë nëse Irani do të vazhdonte të vriste protestues, por demonstratat në të gjithë vendin për privimet ekonomike dhe shtypjen politike janë zbutur që atëherë.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?