Trump: Kriza e Gjirit duhet të marrë fund

Presidenti i SHBA Donald Trump, i tha Emirit të Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, gjatë një bisede telefonike të martën se: “Mosmarrëveshja mes vendeve të Gjirit duhet të përfundojë”, njoftoi Shtëpia e Bardhë në një deklaratë për shtyp të lëshuar dje në mbrëmje.

Gjatë telefonatës, Trumpi diskutoi me Emirin e Katarit “sjelljen gjithnjë e më të pakujdesshme të Iranit në rajon dhe kërcënimin që ai paraqet për stabilitetin”, citohet në deklaratë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump diskutoi me Emirin e Katarit gjithashtu pengesat që vështirësojnë rivendosjen e unitetit në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), dhe theksoi nevojën për t’i dhënë fund krizës së tanishme, duke theksuar se Kreu i Shtëpisë së Bardhë falënderoi Emirin e Katarit për angazhimin e tij në rivendosjen e unitetit të GCC-së.

Swiss Digital Desktop Reklama

Po ashtu, Shtëpia e Bardhë bëri me dije se Presidenti Trump zhvilloi të hënën një tjetër bisedë telefonike me monarkun saudit Selman bin Abdul Aziz, ku diskutoi një sërë çështjesh përfshirë krizën e Gjirit, situatën në Siri dhe luftën në Jemen.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga ana e saj, Qatar News Agency “QNA” raportoi dje se Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, pati mbrëmjen e së martës, një telefonatë nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, gjatë së cilës u shqyrtuan marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve, mënyrat e forcimit dhe zhvillimit të tyre, dhe realizimin e interesave të përbashkëta.

Palët diskutuan gjithashtu disa çështje aktuale, në veçanti luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit dhe përpjekjet e dy shteteve në këtë drejtim, dhe shkëmbyen mendime mbi ngjarjet dhe zhvillimet e fundit në arenën rajonale dhe ndërkombëtare, sipas “QNA”.

Në të njëjtin kontekst, theksohet se agjencia e lajmeve “Reuters” citoi dje pesë zyrtarë amerikanë të thonë se administrata e presidentit Donald Trump do të shtyjë për në Shtatorin e ardhshëm samitin me udhëheqësit e shteteve të Gjirit, i cili pritej të mbahej këtë pranverë.

Dy nga këta zyrtarë thanë se vendimi për të shtyrë samitin reflekton axhendën e ngjeshur diplomatike të administratës amerikane, si dhe faktin që Presidenti Trump është pa ministër të jashtëm deri në konfirmimin e Mike Pompeos në këtë post nga Senati. Megjithatë, burime të tjera thanë për “Reuters” se shtyrja e samitit është një indikator se Uashingtoni ka bërë pak përparim deri më tani rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjes mes Katarit në njërën anë, dhe Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Egjiptit nga ana tjetër.

Presidenti Trump e ftoi Emirin e Katarit – gjatë bisedës telefonike – të vizitojë Shtetet e Bashkuara këtë muaj (Prill), ftesë të cilën Emiri i Katarit e mirëpriti me kënaqësi.

Ndërkohë, burime të ndryshme njoftuan pak kohë më parë se liderët kryesorë të Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të takohen veçmas me presidentin amerikan gjatë kësaj pranvere, në kuadër të përpjekjeve të SHBA-së për të përshpejtuar zgjidhjen e krizës së Gjirit.

Nga ana e tyre, vendet e bllokadës ndaj Katarit i paraprinë takimeve të planifikuara mes SHBA dhe liderve të Gjirit, me një përshkallëzim kundër Dohas, përshkallëzim që me sa duket ka për qëllim bllokimin e përpjekjeve të SHBA për t’i dhënë rrugëdalje situatës.

Burimi: Rueters, Al Jazeera, QNA

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?