Trump kundër emigrantëve? Por gjyshi i tij ishte fshatar gjerman
Gjyshërit e Donald Trumpit vijnë nga një fshat gjerman, i njohur për mendjemadhësinë. Është një karakteristikë që të lidh shpesh me multimilionerin tashmë amerikan, Donald Trump.
Edhe pse Donald Trump po shpif rreth emigrantëve meksikanë, po sillet në mënyrë të pahijshme me gazetarët apo po tregon injorancë rreth politikave ndërkombëtare, republikani me shumë gjasa fitues, ka tronditur garën presidenciale amerikane të 2016-ës dhe renditet lart sipas sondazheve.
Qëndrimi grotesk i manjatit multimilioner të pasurive të patundshme po ndiqet me kujdes në Gjermani dhe si askund tjetër, në fshatin e njohur për prodhimin e verërave, Kallstadt, në Rhineland-Palatinate, Gjermaninë Perëndimore, nga kanë origjinën gjyshërit e Trumpit.
Manjati nga Nju Jorku i pasurive të shumta, me modelin e papërshtatshëm të flokëve është shumë i njohur këtu, pasi disa nga banorët e zonës kanë lidhje të largëta me të.
Por, çfarë mendojnë banorët e Kallstadtit rreth synimeve të tij për t’u bërë njeriu më i fuqishëm i botës?
“Mendoj se banorët janë shumë të emocionuar, por, sipas mënyrës tipike të Kallstadtit, ata nuk janë shumë të habitur”, shprehet Simone Wendel.
I lindur në Kallstadt, Wendel ka bërë një dokumentar ironik rreth Kallstadtit dhe fëmijëve të famshëm të tij, ndër të cilët përmendet edhe familja Heinz, e famshme për salcën e domateve, të quajtur ndryshe ”ketchup”.
Meqë ra fjala, familja Heinz ka lidhje me Partinë Demokrate, pasi Teresa Heinz Kerry është bashkëshortja e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.
Trump thotë se do të kishte qenë po aq i suksesshëm edhe po të kishte jetuar në Kallstadt.
Megjithëse respektohen arritjet e familjes, ekziston edhe ideja se Trump “është paksa poterexhi”.
”Veç kësaj, vetë Kallstadti njihet si ‘Die Brulljesmacher’, që me fjalë të tjera do të thotë ‘mendjemëdhenjtë’. Disa mund të habiten kur të mësojnë se Trump vjen nga një fshat i njohur për mburrje”, shton ajo.
Suksesi i familjes Trump filloi më 1885, kur gjyshi i tij emigroi në SHBA dhe hapi një lokal për punëtorët e minierave të arit.
Gurët e themelit të perandorisë së pronave të Trumpit ishin parcelat e tokës në Nju Jork.
Por, jeta e gjyshërve të Trumpit nuk kaloi pa tragjedi.
”Dëshira e tyre për t’u kthyer në shtëpi përfundimisht u refuzua nga shteti bavarez, të cilit Kallstadt i përkiste atë kohë, sepse ai ishte larguar pa leje”, sipas Roland Paul, drejtor i Institutit për Historinë dhe Folklorin Palatinan.
”Donald Trump është nipi i një emigranti të paligjshëm”, thotë Paul, i cili u mor në intervistë në fillim të dokumentarit të Wendelit.
Ky fakt shpjegon përshkrimet e Trumpit për emigrantët meksikanë si “kriminelë” dhe “përdhunues”, kërkesën e tij për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën si edhe vënien në pikëpyetje lidhur me dhënien e nënshtetësisë nga presidenti Barack Obama.
“Mënyra sesi ai shprehet nuk është dhe aq e hijshme”, thotë Hans-Joachim Bender, i cili ka lidhje të largët me Trumpin.
“Gjyshja ime u lind në familjen Trump, kurse gjyshi im ishte një Heinz”, shton Bender.
Kultivuesi i rrushit për raki, tashmë pensionist është i lumtur që e sheh Trumpin nga larg.
“Ai është gjaknxehtë. Ai mund të shkojë mirë me republikanët, por ata janë njerëz që filluan luftërat”, shton ai.
A mendon ai se Trump mund t’i vizitojë ata një ditë?
“Nuk e imagjinoj dot”, shprehet 72- vjeçari.
“Atij nuk i ka interesuar asnjëherë Kallstadti”, thekson Bender.
”Kur një pasardhës i familjes Heinz vizitoi fshatin, banorët i bënë një dhuratë”, thotë pronarja e një hoteli, Veronika Schramm.
“Nuk e përfytyroj dot Trumpin që të vizitojë fshatin”, thotë 68-vjeçarja.
“Kushëriri i tij, John na ka vizituar dhe është sjellë shumë mirë, por Trumpi është paksa mendjemadh”, tha ajo.
”Do të ishte mirë të mos fitonte sepse ai ka pikëpamje radikale, që nuk e di nëse do të ishte diçka e mirë”, shton Schramm.
”Nëse dikush si ai do të ishte përgjegjës në kohën e gjyshërve të tij, ai nuk do kishte mundur dot kurrë të mbërrinte në SHBA”, shprehet ajo.
Vajza e kultivuesit të rrushit, Sarah Buehler gjithashtu nuk është e habitur nga Trump.
“Ka tema më interesante se ai”, thotë Buehler.
”Si president? Ai nuk është presidenti im”, thotë ajo.
“Rrushi do të piqet edhe pa Trumpin president”, thekson Buehler.
“Fshati ruan kontakte më të mira me familjen Heinz sesa me familjen Trump”, sipas kryebashkiakut, Thomas Jaworek.
”Trump nuk ka qenë asnjëherë këtu. Nëse do të vinte, jam i sigurt që do të kënaqej shumë dhe nëse do të vinte si president, ne do të ndiheshim akoma më të nderuar”, shton ai.
Por, fushata e zgjedhjeve në SHBA zgjat shumë dhe imazhi i Trumpit është polarizues.
Jaworek tha se nuk është i sigurtë nëse Amerika meriton dikë si Trump, por duke pasur parasysh tensionet me Rusinë, ndoshta ajo ka nevojë për një të fuqishëm.
“Rezultati do të ishte interesant”, shtoi Jaworek, i cili kryqëzon gishtat për të.
Po Simone Wendel?
Rreth 12 000 persona kanë parë dokumentarin e saj, që i kushtoi shumë kohë intervistimi Trumpit dhe tashmë Amerika është e interesuar për të.
Filmi u pa për herë të parë në një festival në shtator.
Por, ajo nuk ka dijeni nëse Trump e ka parë filmin.