Trump më i varfër si President, pasuria e tij ra me 700 milionë dollarë
Katër vite në Shtëpinë e Bardhë e kanë bërë më të varfër ish-presidentin, Donald Trump.
Pasuria e biznesmenit amerikan u zhvlerësua me 700 milionë dollarë mes viteve 2016 dhe 2020, nga 3 miliardë në 2,3 miliardë dollarë.
Sipas Indeksit të Miliarderëve të publikuar nga agjencia “Bloomberg”, periudha e pandemisë ndikoi shumë në bizneset e 74-vjeçarit.
Zyrat, hotelet, rezortet dhe fushat e golfit në pronësinë e tij raportuan qindra milionë më pak të ardhura për shkak të izolimit të gjatë.
Flota e avionëve “Boeing” që zotërohen nga firmat e tij gjithashtu humbën gati 50 milionë dollarë vlerë në 6 vite për shkak të amortizimit.
Ndërkohë, për shkak të qëndrimeve politike gjatë mandatit si president, disa kompani tashmë nuk po bashkëpunojnë më me ish-presidentin.
Mbi 600 milionë dollarë llogariten borxhet e tij në sektorët komercialë, në rezorte dhe hotele, në fushat e golfit dhe prona të tjera.
Tramp pritet që disa nga humbjet t’i rikuperojë nëpërmjet marrëveshjeve për botimin e një libri me kujtime nga periudha kur ishte president.
Librat memuaristikë i sollën 65 milionë dollarë të ardhura paraardhësit të tij, Barack Obama dhe bashkëshortes, Michelle.