Trump: Mund të fitojmë tri herë, përdorën kovidin për të mashtruar, për të manipuluar zgjedhjet

Pas një shkëputjeje disamujore nga politika aktive, ish-presidenti republikan, Donald Trump, ka sinjalizuar se mund të garojë për herë të tretë për postin më të lartë të Amerikës. Deri javën tjetër ai pritet të mbajë dy tubime me qëllim mobilizimin e të djathtës.

Ish-presidenti amerikan, Donald Tramp, i është rikthyer tubimeve politike, si përpara se të humbiste zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ndërsa nuk e ka konfirmuar kandidimin në vitin 2024, Tramp u tha të shtunën mijëra simpatizantëve të mbledhur në fshatin Uellington të Ohajos që të rrinë me shpresë për rikthimin e republikanëve në pushtet.

“Lëvizja jonë për një Amerikë sërish fantastike i ka bazat te forca, paqja dhe rendi e ligji. Gjatë fushatës, mediet e rreme nuk deshën të flasin për të dhe bënë gjithçka për ta shkatërruar. Zgjedhjet i fituam dy herë dhe ka mundësi t’i fitojmë për herë të tretë.”

Në zgjedhjet e fundit presidenciale demokratët me në krye kreun aktual të shtetit, Xho Bajden, fituan mbi 51 për qind të votës popullore, por ish-kryeshtetari Tramp përsëriti pretendimin se fitorja u arrit me mashtrim dhe manipulime.

“Përdorën kovidin për të mashtruar, për të manipuluar zgjedhjet dhe për të na i vjedhur ato. E arritën falë kovidit; kaq e thjeshtë është.”

Fjalimi i fundit vjen në kohën kur 75-vjeçari Tramp nuk ka shumë mundësi për t’i bërë publike mesazhet e tij pasi i është mohuar e drejta të përdorë rrjetet kryesore sociale.

Mësohet se deri më 3 korrik ai ka planifikuar edhe dy tubime të tjera në Teksas dhe Floridë.

Ish-presidenti e dorëzoi pushtetin më 21 janar, pak javë pasi mobilizoi turmat të mësyjnë me dhunë në godinën e Kongresit amerikan, akt për të cilin edhe u procedua nga organi legjislativ.

SHKARKO APP