Trump: Nuk kam frikë nga shkarkimi
Dhoma legjislative e Kongresit amerikan i kërkoi zv.presidentit, Mike Pence, ta shpallë kreun e shtetit, Donald Trump, të paaftë për të kryer detyrën dhe ta marrë ai pushtetin në dorë.
Rezoluta mori kryesisht votat e shumicës demokrate, por u refuzua nga zv.presidenti Pens i cili u shpreh se nuk e mbështeste shkarkimin e eprorit të tij.
Të mërkurën, demokratët dhe disa republikanë do të propozojnë sërish largimin e Trumpit, këtë radhë me akuzën se nxiti trazirat e një jave më parë në godinën e Kongresit.
“Amendamenti i 25-të i Kushtetutës për shkarkimin e presidentit nuk përbën asnjë rrezik për mua, por Joe Biden dhe administrata Biden të kenë vetë kujdes, sepse siç është një fjalë e urtë: koka bën, koka pëson.”
Presidenti Trump dënoi të martën dhunën e së mërkurës së kaluar brenda Kapitolit, dhunë që përfundoi me 5 viktima dhe rrezikon procedimin penal të tij pak ditë para se të lërë detyrën.
“Miliona qytetarë panë se si një bandë iu turr Kapitolit dhe shkallmoi sallat e qeverisë. Ne besojmë se historia dhe tradita e Amerikës duhet respektuar, besojmë te sundimi i ligjit, jo dhuna dhe rrëmuja. Ndaj, e tashmja është kohë për paqe dhe qetësi, për shërimin e kombit tonë.”
Demokratët në Kongres shpresojnë që të marrin përkrahjen e të paktën 17 republikanëve për procedimin e Trumpit, në mënyrë që atij të mos i lejohet të mbajë më poste zyrtare.
Kreu në ikje i shtetit ka treguar se mund të garojë sërish për president në 2024-ën, në moshën 78-vjeçare, aq sa ç’është presidenti aktual i zgjedhur, Joe Biden.