Trump paralajmëron: Hamasi do të përballet me “zhdukje të plotë” nëse këmbëngul të mbetet në pushtet në Gaza
Presidenti Donald Trump paralajmëroi sot se Hamasi do të përballet me “zhdukje të plotë” nëse këmbëngul të qëndrojë në pushtet në Rripin e Gazës.
Deklarata e tij vjen në prag të negociatave të planifikuara për këtë javë, të cilat synojnë t’i japin fund konfliktit të përgjakshëm midis Izraelit dhe grupit militant palestinez.
Trump theksoi se ky veprim do të ndërmerret nëse Hamasi refuzon të heqë dorë nga kontrolli i Gazës, duke shtuar se përpjekjet për të çuar përpara planin e tij të armëpushimit vazhdojnë pa ndërprerje.
“Zhdukje e plotë!”, u shpreh presidenti amerikan .
Më 3 tetor, Hamasi konfirmoi se ka rënë dakord për lirimin e të gjitha pengjeve izraelite, sipas kushteve të planit të paqes prej 20 pikash të propozuar nga Trump, dhe pritet të nisë negociata të ndërmjetësuara në Egjipt për detajet e mëtejshme.
Sipas propozimit, Gaza do të rindërtohej dhe do t’u jepet mundësia palestinezëve që dëshirojnë të qëndrojnë në vendin e tyre. Luftëtarët e Hamasit do të përfshiheshin në amnisti, ndërsa administrimi i territorit do t’i kalonte një komiteti të ri palestinez, i mbikëqyrur nga një “Bordi i Paqes”.
Paneli i mbikëqyrjes do të drejtohej personalisht nga Trump së bashku me udhëheqës ndërkombëtarë, përfshirë ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Gjithashtu, Hamasi ra dakord të dorëzojë administrimin e Gazës një organi të pavarur palestinez dhe shprehu gatishmërinë për të diskutuar elementë të tjerë të planit gjatë bisedimeve të shumëpritura.
KOHA JONË SONDAZH

