Trump pas bisedimeve në Moskë: Rusia dëshiron fort një marrëveshje për Ukrainën
Presidenti amerikan Donald Trump e ka vlerësuar si “mjaft të mirë” takimin e zhvilluar të martën në Moskë mes dy përfaqësuesve të tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhe presidentit rus Vladimir Putin. Duke folur nga Zyra Ovale të mërkurën, Trump shprehu optimizëm, por theksoi se hapat e mëtejshëm mbeten ende të paqartë. Ai gjithashtu deklaroi se, sipas tij, Rusia ka një dëshirë të theksuar për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.
Duke komentuar mbi rezultatin e mundshëm të negociatave, presidenti amerikan përdori një shprehje figurative, duke thënë se “duhen dy veta për të kërcyer tango”. Me këtë ironi, ai la të kuptohet se suksesi i bisedimeve varet nga vullneti i të dyja palëve dhe se të gjithë skenarët për të ardhmen mbeten të hapur.
Paraprakisht, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë kishte konfirmuar se takimi ishte “i thelluar dhe produktiv”. Sipas të njëjtit burim, bisedimet mes palës amerikane dhe ruse ishin të gjera dhe konstruktive. Pas përfundimit të takimit, Witkoff dhe Kushner kanë informuar menjëherë si presidentin Trump, ashtu edhe zyrtarët ukrainas, duke i përcjellë Kievit detajet e diskutimeve.
KOHA JONË SONDAZH

