Trump: SHBA tërhiqet nga marrëveshja e Parisit për Klimën
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se SHBA do të tërhiqet nga marrëveshja e Parisit për Klimën. Trump tha se ai është i shqetësuar për çështjet e mjedisit, por nuk mund të mbështesë një marrëveshje që ndëshkon SHBA-në.
“Për të përmbushur detyrën time solemne për mbrojtjen e Amerikës dhe qytetarëve të saj, Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga akordi i Parisit për ndryshimet klimatike, për të nisur negociatat për të rihyrë në marrëveshjen e Parisit, ose në një marrëveshje tërësisht të re me kushte më të drejta për Shtetet e Bashkuara”- tha Trump.
Liderët evropianë kanë lobuar fuqishëm për të bindur Trumpin që të mos tërhiqet, por Trump ka thënë se anëtarë të Partisë së tij Republikane, si dhe industritë e qymyrit e naftës i kanë bërë presion të tërhiqet.
Marrëveshja e Parisit për Klimën e nënshkruar në vitin 2015 nga 195 vende, është pakti i parë ligjor për luftimin e ndryshimeve klimatike. Me këtë marrëveshje pothuajse çdo vend është pajtuar vullnetarisht të reduktojë emetimet e gazrave serë.
Gazrat serë kryesisht gjenerojnë nga termocentralet dhe makinat që djegin vajin, qymyrin dhe gazin natyror. Shkencëtarët besojnë se akumulimi i këtyre gazrave në atmosferë ngroh planetin.
Shtetet e Bashkuara, nën ish-presidentin Barack Obama, janë zotuar se do t’i reduktojnë emetimet deri në 28 përqind, deri në vitin 2025. Tërheqja nga marrëveshja e SHBA-së, që është emetuesja më e madhe e gazrave pas Kinës, pritet të ketë implikime të gjera.
KOHA JONË SONDAZH

