Trump shkarkon dy dëshmitarët e tij
Dy zyrtarë të lartë amerikanë që kishin dhënë dëshmi implikuese kundër presidentit Donald Trump, janë shkarkuar nga pozitat e tyre pas përfundimit të procesit, ku Trump u shpall i pafajshëm për akuzat e shpërdorimit të pushtetit dhe pengimit të Kongresit.
Pas gjyqit dhe fitimit të pafajësisë në Senat, presidenti amerikan Donald Trump ka nisur të hakmerret ndaj zyrtarëve që dëshmuan kundër tij.
Ambasadori amerikan në Bashkimin Europian, Gordon Sondlend, dhe eksperti i Shtëpisë së Bardhë për Ukrainën, nënkoloneli Aleksandër Vindman, u njoftuan të premten se nuk do të shërbejnë më në pozicionet aktuale.
“Në mendjen e amerikanëve nuk ka asnjë dyshim se përse e shkarkuan, përse tani në Shtëpinë e Bardhë shërben një ushtar më pak. Atij iu kërkua të largohej sepse tha të vërtetën,” reagoi avokati i nënkolonelit Vindman.
Si Vindman, edhe ambasadori Sondlend, do të komentonin fundvitin e kaluar akuzat se presidenti Trump e kishte kushtëzuar Ukrainën të hetonte pretendimet për korrupsion ndaj rivalit të vet demokrat, Xho Bajdën, në mënyrë që të siguronte ndihma ushtarake qindramilionadollarëshe.
Nnënkoloneli Vindman ishte i pranishëm gjatë telefonatës, dhe do të shprehej se nuk po u besonte veshëve për ato që po dëgjonte.
Dëshmitë kundër presidentit nuk arritën të mërkurën të bindin dhomën më të lartë të Kongresit, ku më shumë se gjysma e senatorëve votuan se kryeshtetari Trump nuk e kishte shpërdoruar detyrën ashtu si edhe akuzohej.
Nënkoloneli Vindman u shoqërua jashtë Shtëpisë së Bardhë, njësoj si vëllai i tij binjak që po ashtu shërbente në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Në nëntor ai kishte deklaruar se ishte i vetëdijshëm se dëshmia e tij kundër presidentit do bartte pasoja ndërsa ka njoftuar se do punojë sërish në Pentagon.