Trump sulmon Zelenskyn: “Nuk ka lexuar propozimin e paqes”
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është “pak i zhgënjyer” nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke theksuar se ky i fundit ende nuk ka lexuar propozimin e ri për paqe që SHBA i ka paraqitur palëve në konflikt.
“Duhet të them se jam pak i zhgënjyer që Zelensky nuk e ka lexuar ende propozimin,” u shpreh Trump, teksa komentoi përpjekjet e fundit diplomatike.
Ai shtoi se administrata amerikane është duke zhvilluar kontakte të vazhdueshme me presidentin rus Vladimir Putin dhe me udhëheqësit ukrainas, përfshirë Zelenskyn, për të arritur një marrëveshje të mundshme.
“Ne po flasim me Putinin dhe me drejtuesit ukrainas, përfshirë edhe Zelenskyn, për një paqe të mundshme,” tha presidenti amerikan.
Sipas Trump, Moska ka shprehur një gatishmëri të caktuar për të lëvizur drejt paqes, ndërsa qëndrimi i Kievit mbetet më pak i qartë.
“Mendoj se Rusia është dakord, por nuk jam i sigurt nëse Zelensky është dakord. Popullit të tij i pëlqen ky propozim,” deklaroi ai.
Trump i bëri këto komente në përgjigje të pyetjeve lidhur me ecurinë e bisedimeve për paqen në Ukrainë dhe hapat e ardhshëm që mund të ndërmerren nga SHBA në këtë proces.
KOHA JONË SONDAZH

