Trump: Trudeau, me dy fytyra

Në këtë video janë fiksuar momentet kur liderët e Kanadasë, Britanisë, Holandës e Francës tallen me presidentin amerikan Donald Trump, gjatë një takimi në Londër ku morën pjesë në samitin e NATO-s.

Në videon e xhiruar nga televizioni publik kanadez, ata komentojnë vonesat në takime, që mesa duket janë shkaktuar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, si në rastin e takimit mes tij dhe zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara me familjen mbretërore. Biseda e gjatë e Trump-it me ta nervozoi princeshën Ana, e cila nuk po i bashkohej dot familjes që përshëndetej me presidentin amerikan.

Tallja e liderëve me Trump-in ka bërë xhiron e mediave ndërkombëtare dhe nuk i shpëtoi reagimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë, i cili hatërmbetjen e kishte me kryeministrin kanadez.

“Ai është me dy fytyra. Ndershmërisht, Trudeau është një djalë i mirë. Por e vërteta është se i vura në dukje faktin që nuk po paguan 2 përqindshin dhe mesa shoh nuk është shumë i kënaqur për këtë”.

Vetë Trudeau u përpoq të minimizonte këtë ngjarje.

“Marrëdhënia që kemi me Shtetet e Bashkuara është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe efektive. Kam marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Trump dhe ekipin e tij”.

Samiti që përkoi me 70 vjetorin e themelimit të aleancës u përmbyll me një mesazh uniteti mes vendeve anëtare, të përçara  vitet e fundit për çështjen e financave por edhe të operacioneve në zona të ndryshme konflikti nëpër botë.

SHKARKO APP