Trump, zyrtarisht kandidati për president i Partisë Republikane

Donald Trump u bë të martën mbrëma zyrtarisht kandidati për president i Partisë Republikane. Ai mbajti një fjalim nga Kulla ‘Trump’ e Nju Jorkut, drejtuar me satelit Kuvendit Republikan në Klivlend të Ohajos, duke thënë se fitorja prej tij e emërimit të partisë është diçka që ai nuk do ta harrojë kurrë.

Pas një votimi dhe numërimi të votave në Kuvendin Kombëtar Republikan,  Trump fitoi me lehtësi të 1 237 delegatët e nevojshëm.

Emërimi zyrtar erdhi në ditën e dytë të Kuvendit, i cili filloi me protestën e një pjese të delegatëve dhe me përpjekjet për të ndryshuar rregullat e Kuvendit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Rrugëtimi politik i Donald Trump-it nisi 13 muaj më parë dhe, gjatë kësaj periudhe, biznesmeni miliarder arriti të mundë 16 rivalë. Kjo përpjekje e tij u shoqërua shpesh me polemika brenda Partisë Republikane.

Swiss Digital Mobile Reklama

Djali i tij më i madh, Donald Trump Jr., njoftoi mbrëmë mbështetjen e Nju Jorkut, gjatë një numërimi zë për zë të votave në Kuvend dhe kjo i siguroi  Trump-it shumicën e duhur për t’u bërë kandidati që do të përballet më 8 nëntor me kandidaten e pritshme demokrate, Hillary Clinton, për Shtëpinë e Bardhë.

“Urime baba. Ne të duam”, tha Donald Trump Jr., duke shpallur votën e Nju Jorkut.

Rivalja demokrate e kandidatit Trump, Hillary Clinton, reagoi menjëherë në “Twitter”. Ajo shkroi: “Donald Trump sapo është bërë i emëruari i Partisë Republikane. Ndihmoni tani që ai kurrë të mos hyjë në Shtëpinë e Bardhë”.

Trump fitoi gjithsej 1 725 delegatë, i ndjekur nga senatori Ted Cruz i Teksasit me 475. Guvernatori i Ohajos, John Kasich, mori 120 vota, ndërsa senatori i Floridës, Marco Rubio, 114.

/ Zëri i Amerikës / 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?