Trupat kineze dhe indiane përfshihen në “përleshje të re kufitare”

Trupat kineze dhe ato indiane është raportuar të jenë përleshur sërish në një zonë të kontestueshme kufitare, me të plagosur nga të dyja palët, kanë thënë mediat indiane.

Incidenti ka ndodhur në shtetin verior të Indisë, Sikkim, të mërkurën e javës së kaluar. Ushtria e Indisë ka thënë se ka ndodhur një incident “i vogël” që është “zgjidhur”.

Tensionet aktualisht janë të larta në kufirin më të diskutueshëm në botë, meqë të dyja palët kanë pretendime për zona të mëdha në këtë territor. Të paktën 20 ushtarë indianë kanë vdekur në zonën Ladakh në qershor të vitit të kaluar.

Mediat kanë raportuar se incidenti ka ndodhur në veri të shtetit Sikkim, përkatësisht në Nathu La. Shteti Sikkim gjendet në mes të Butanit dhe Nepalit, rreth 2,500 kilometra në lindje të zonës Ladakh.

Një patrullë kineze ka tentuar të hyjë në territorin indian dhe është kthyer mbrapa me forcë, kanë thënë zyrtarët.

Në një deklaratë të ushtrisë indiane është hedhur poshtë incidenti duke thënë se “një përballje e vogël ka ndodhur në Sikkim më 20 janar 2021 dhe i njëjti është zgjidhur nga komandantët sipas protokolleve ekzistuese”.

Një burim i ka thënë të përditshmes Times of India, se të dyja palët kanë dërguar më pas përforcime, mirëpo nuk ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe se situata është nën kontroll.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian nuk ka dhënë detaje për incidentin, mirëpo ka thënë se trupat kineze janë “të përkushtuara për të ruajtur paqen” dhe i kanë bërë thirrje Indisë që të “përmbahet nga veprimet që mund të përshkallëzojnë situatën në kufi”.

Një pjesë e madhe e territorit, përkatësisht 3,440 kilometra të kufirit nuk janë të definuara mirë.

Prezenca e liqeneve dhe lumenjve në këtë pjesë nënkupton se kufiri mund të lëvizë, duke i përballur ushtarët me njëri-tjetrin, çka rezulton më pas me përleshje.

Në maj të vitit të kaluar është raportuar për një përleshje të vogël në Nathu La, zonë që ndan shtetin Sikkim dhe rajonin autonom të Tibetit në Kinë.

Një muaj më vonë, një përleshje e dhunshme pati shpërthyer në Ladakh.

Përveç viktimave indiane, Kina po ashtu pati raportuar për viktima, ndonëse pa bërë koment zyrtar.

Prej luftimeve të asaj kohe, të dyja palët kanë zhvilluar negociata për ulje të tensioneve.

Raundi i nëntë i bisedimeve është zhvilluar të dielën, mirëpo nuk ka pasur informacione për arritje të ndonjë marrëveshjeje. Këto shtete fqinje, njeherësh fuqi bërthamore, mund të humbin shumë, meqë Kina është një prej partnereve më të mëdha tregtare të Indisë.

Marrëdhëniet janë përkeqësuar për shkak të mospajtimeve kufitare. Të dyja shtetet tashmë kanë nisur të kryejnë ndërtime në disa zona kufitare. Ato janë përfshirë vetëm një herë në luftë, më 1962, në të cilin India është përballur me humbje të madhe./REL

SHKARKO APP