Tsipras: Nuk bëjmë asnjë hap mbrapa
“Nuk bëjmë asnjë hap mbrapa prej angazhimeve para popullit, prej deklaratave programatike të qeverisë”, theksoi kryeministri Aleksis Cipras, duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të SYRIZA-s. Cipras theksoi se pas zgjedhjes së presidentit të republikës, të enjten paradite do të depozitohet i pari, me procedurën e emergjencës, projektligji për shpëtimin social, por edhe rregullimet për 100 këstet e detyrimeve të pashlyera ndaj shtetit dhe enteve të siguracioneve. Menjëherë më pas, shtoi Cipras, do të depozitohet edhe drafti “që do t’i japë fund çrregullimeve në tregun e punës, mesjetës që krijoi trojka për t’u shërbyer interesave të oligrakisë”. Kryeministri deklaroi se brenda tri javësh nuk u kapërcyen problemet kolosale ekonomike të Greqisë, ndërkaq, qytetari nuk e ndjen më diskreditimin dhe përbuzjen. Nuk mundet që disa t’i sillen Greqisë sikur të jetë një koloni dhe grekëve sikur të jenë mashtrues, tha Cipras dhe shprehu bindjen se përfundimisht Greqia do të dalë nga kurthi i shtrëngesës, ndërsa duke iu referua deklaratës së ministrit gjerman të financave që tha se “ më vjen keq për grekët që votuan një qeveri të papërgjegjshme”, tha se zoti Svhauble e humbi gjakftohtësinë, sepse u shpreh me nënvleftësim ndaj popullit grek. “Do të doja që me vlerësim të pakufishëm dhe predispozicion miqësor t’i nënvizoj se do të ishte më mirë që t’i vinte keq për popujt që ecin me kokën ulur, jo për ata që e ngrenë kokën lart me krenari”, theksoi kryeministri.
Ndërkohë në Greqi, 80% e qytetarëve vlerësojnë pozitivisht lëvizjet e qeverisë. Tetë në dhjetë qytetarë (81,5%) i vlerësojnë pozitivisht lëvizjet e qeverisë, sipas një sondazhi të kompanisë Marc që publikohet në të përditshmen “Efimerida ton Syntakton”. Më konkretisht, në pyetjen nëse qeveria po negocion në mënyrën e duhur apo të gabuar, 58% përgjigjen “me mënyrën e duhur”, dhe 23,5% “me gjasë mënyra më e duhur”. Një 14 për qindsh nuk pajtohet me mënyrën se si po negocion qeveria. Optimistë sa i përket rezultatit të negociatave shprehen 79,7% e qytetarëve, kundrejt 13,4% që besojnë se vendi po shkon drejt konfrotimit. Sa i përket opinionit të qytetarëve lidhur me shenjat e para të qeverisjes, 56,1% përgjigjen se kanë opinion pozitiv, dhe 27,5% “me gjasë pozitiv”. Negativisht e vlerësojnë punën e qeverisë 13,2% e të pyeturve. Të pyetur për qëndrimin e Greqisë në euro, 81% përgjigjen pozitivisht, në raport me 13,5% që preferojnë krhimin në monedhën e mëparshme kombëtare, dhrahminë.