Turqia nis operacionin ushtarak kundër kurdëve në Sirinë verilindore
Turqia ka filluar operacionin ushtarak kundër forcave kurde në verilindje të Sirisë. E ka bërë të ditur në Twitter vetë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan:
‘Forcat e armatosura turke, bashkë me ushtrinë kombëtare siriane, sapo kanë nisur Operacionin Pranvera e Paqes kundër PKK/YPG (Partia e Punëtorëve Kurde dhe Forcat Kurde të Mbrojtjes) dhe terroristëve të ISIS në veri të Sirisë. Misioni ynë është për të shmangur krijimin e një korridori të terrorit në kufijtë tanë jugorë dhe për të sjellë paqe në rajon’.
Janë verifikuar disa shpërthime në rajonin Ras al-Ayn. Media lokale ka shfaqur pamjet e tymit që ngrihet nga pjesa siriane e kufirit. Luftëtarët kurdë deklarojnë se avionët luftarakë turq kanë sulmuar zona me civilë, duke shkaktuar panik të madh midis popullatës së rajonit.
Në mëngjes, media shkruante se pesë mijë ushtarë të forcave speciale turke ishin gati për të hyrë në Siri për nisjen e misionit të paralajmëruar kundër YPG.
Autoritetet kurdo-siriane kanë njoftuar mobilizimin dhe gatishmërinë e përgjithshme në gjithë verilindjen siriane për t’u mbrojtur nga ‘kërcënimet e ushtrisë turke dhe të mercenarëve të saj’.