U kthye në Itali, do merret në pyetje djali i çiftit trupat e të cilëve u gjetën të copëtuar në valixhe

Autoritetet italiane informojnë se është ekstraduar nga Zvicra në Itali, Taulant Pasho 33 vjeç, djali i çiftit Shpëtim e Teuta Pasho, trupat e të cilëve u gjetën të copëtuar në katër valixhe pas 5 vite zhdukje në Firenze.

Katër valixhet me trupat e viktimave, u gjetën në dhjetor të 2020, në afërsi të burgut të Sollicciano në provincën e Firenzes, e jo shumë larg banesës ku djali i tyre  Taulant jetonte me të fejuarën Elona Kalesha.

Zhdukja e çiftit shqiptar ndodhi më 2015 e në të njëjtën ditë që djali i tyre Taulant doli nga burgu i Sollicianos.

Elona Kalesha 36 vjeçe, ish e fejuara e Taulant Pashos, prej datës 22 dhjetor 2020,  është vënë nën urdhër arresti me burg me akuzën e vrasjes së dyfishtë e Gjykata Italiane ka rrëzuar kërkesën e avokatit mbrojtës për aplikimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj saj.

Po me akuzën e bashkëpunimit në vrasje është arrestuar dhe vëllai i saj i vogël Denis Kalesha.

Elona Kalesha e Denis Kalesha ndodhen në të njëjtin burg, në Sollicciano të Firenzes.

Taulant Pasho është ekstraduar me kërkesë të autoriteteve italiane për dënimin  e marrë dy vite më parë nga drejtësia italiane për trafik droge.

Ai është dërguar në burgun e Komos, i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për trafikimin e 6 kg e gjysmë marijuanë, vendim i marrë në dhjetor të 2019. Në Zvicër ishte dënuar me burg për grabitje.

Taulant Pasho pritet të merret së shpejti në pyetje nga prokurorët italianë të çështjes Pasho. Ai pritet të jetë celësi i zbardhjes së motiveve e rrethanave të këtij krimi makabër.

Motivi pasional i lidhur me një shumë parash që çifti Pasho zotëronte në momentin e zhdukjes, mbetet pista kryesore e hetimit.

SHKARKO APP