U kthye në simbolin e protestave, ndërron jetë 87-vjeçarja Maricarmen Abascal
Maricarmen Abascal, 87 vjeç, ka ndërruar jetë në spitalin Gregorio Marañón në Madrid, vetëm pak ditë pasi u dëbua nga banesa ku jetonte me qira. Historia e saj kishte prekur opinionin publik dhe ishte shndërruar në një nga simbolet e protestave për të drejtën e strehimit në Spanjë.
Abascal ishte shtruar në spital pas ndërhyrjes për largimin e saj nga apartamenti në lagjen Retiro. Më 23 shtator, pas disa ditësh qëndrimi në banesë në përpjekje për të shmangur dëbimin, ajo u nxor nga forcat e rendit me barelë.
Jashtë apartamentit, për ditë me radhë, aktivistë të Sindikatës së Qiramarrësve të Madridit kishin protestuar kundër dëbimit, duke kërkuar që 87-vjeçarja të mos humbiste shtëpinë e saj.
Lajmi për vdekjen e saj ka shkaktuar reagime të shumta në Spanjë. Kryeministri Pedro Sánchez shprehu ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e Abascal, duke thënë se e ndiente këtë humbje si të tijën dhe duke dërguar një mesazh solidariteti për të gjithë ata që janë prekur nga historia e saj.
Rasti i Maricarmen Abascal vjen në një moment kur çështja e strehimit është kthyer në një nga temat më të debatueshme në Spanjë, ndërsa mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të kërkuar qira më të përballueshme dhe më shumë mbrojtje për familjet që rrezikojnë të humbasin shtëpitë e tyre.

