U tha se ishte 70 % efektive, një gabim prodhimi i AstraZeneca vendos në pikëpyetje vaksinën

AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit të mërkurën pranuan “një gabim prodhimi” që po ngre pikëpyetje në lidhje me rezultatet paraprake të vaksinës së tyre eksperimentale për COVID-19.

Kjo deklaratë që përshkruan gabimin erdhi disa ditë pasi kompania dhe universiteti përshkruan vaksinat si “shumë të efektshme” dhe nuk përmendin pse disa pjesëmarrës të studimit nuk morën aq “sasi vaksine”, aq sa pritej.

Madje, për befasi grupi i vullnetarëve që morën një dozë më të ulët u duk se ishte shumë më mirë i mbrojtur sesa vullnetarët që morën dy doza të plota.

Në grupin e “dozave të ulëta”, tha AstraZeneca, vaksina dukej të jetë 90% efektive. Në grupin që mori dy doza të plota, vaksina dukej se ishte 62% efektive.

Ndërsa të kombinuara, prodhuesit e ilaçeve thanë se vaksina duket të jetë 70% e efektshme.

Por mënyra në të cilën rezultatet janë arritur dhe raportuar nga kompanitë ka çuar në pyetje të theksuara nga ekspertët, shkruan Time.

Rezultatet e pjesshme të njoftuara të hënën janë nga studime të mëdha në vazhdim në Mbretërinë e Bashkuar dhe Brazil, të dizajnuara për të përcaktuar dozën optimale të vaksinës, si dhe për të ekzaminuar sigurinë dhe efektivitetin.

Kombinime dhe doza të shumta u provuan te vullnetarët. Ata u krahasuan me të tjerët që u është bërë një vaksinë e meningjitit ose një “vaksinë e rrejshme”.

Kështu, sipas mediumit në fjalë, ekspertët thonë se numri relativisht i vogël i njerëzve në grupin e dozave të ulëta e bën të vështirë të dihet nëse efektiviteti i parë në grup është i vërtetë apo një çudi statistikore.

Rreth 2,741 njerëz morën një dozë “gjysmë vaksine” të ndjekur nga një dozë të plotë, tha AstraZeneca. Një total prej 8,895 njerëzve morën dy doza të plota.

Por, askush nga njerëzit në grupin e “dozave të ulëta” nuk ishte mbi 55 vjeç, vë në pah Time.

Njerëzit e rinj kanë tendencë të kenë një përgjigje më të fortë imune sesa njerëzit e moshuar, kështu që mund të ndodhë që “rinia” është arsyeja pse dukej më efektive, jo madhësia e dozës.

Një pikë tjetër e konfuzionit vjen nga një vendim për të bashkuar rezultatet nga dy grupe pjesëmarrësish që morën nivele të ndryshme dozimi për të arritur një mesatare prej 70% të efektivitetit, tha David Salisbury, dhe bashkëpunëtor i programit shëndetësor global në Chatham House.

Ndërkohë, në një deklaratë të mërkurën, Universiteti i Oksfordit tha se disa nga shishet e përdorura në provë nuk kishin përqendrimin e duhur të vaksinës, kështu që disa vullnetarë morën një gjysmë-dozë.

Universiteti tha se diskutoi problemin me rregullatorët dhe ra dakord për të përfunduar testimin në fazën e vonë me dy grupe. Problemi i prodhimit është korrigjuar, sipas deklaratës.

Përkundër të gjithave, detajet e rezultateve të provës do të publikohen në revistat mjekësore dhe do t’u ofrohen rregullatorëve të Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë që ata të vendosin nëse do të autorizojnë shpërndarjen e vaksinës.

Këto raporte do të përfshijnë një ndarje të detajuar që përfshin informacione demografike dhe informacione të tjera rreth asaj se kush u sëmur në secilin grup, dhe të japë një pamje më të plotë se sa efektive është vaksina.

SHKARKO APP