Uashingtoni kërkon të rishikojë strategjinë ushtarake kundrejt Kinës

Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë të hapin një kapitull të ri pas tensioneve të katër viteve të shkuara.

Presidenti, Joe Biden, i telefonoi homologut, Shi Xhinping, për ta informuar se ai e mirëpret bashkëpunimin nëse do të ishte në interesat amerikane.

Me këtë rast, kryeshtetari i SHBA-së tha se kërkoi adresimin e një sërë problematikat që përfshijnë Pekinin, siç janë praktikat e padrejta ekonomike, abuzimet me të drejtat e minoritetit mysliman të ujgurëve në rajonin e Shixhiangut dhe ndërhyrjet kineze në Tajvan e Hong-Kong.

Dy liderët gjithashtu diskutuan si të kontribuojnë së bashku në luftën kundër pandemisë së Covidit-19, sfidat që përballin së bashku me sigurinë shëndetësore, klimën dhe me armët shkatërruese.

“Bashkëpunimi kinezo-amerikan, në shumë mënyra, i vlen si SHBA-së, edhe Kinës dhe mbarë botës. Përballja mes Kinës dhe SHBA-së do të ishte absolutisht katastrofike për të dyja vendet dhe mbarë botën,” u përgjigj presidenti Shi Xhinping, sipas citimeve të medieve shtetërore.

Presidenti i Kinës gjithashtu tha se temat që lidhen me Hong-Kongun, Tajvanin dhe Shinxhiangun janë çështje të brendshme të sovranitetit dhe të integritetit territorial të vendit, që pala amerikane duhet t’i respektojë.

Marrëdhëniet mes dy fuqive globale u acaruan katërvjeçarin e shkuar gjatë presidencës së republikanit, Donald Trump.

Pekini ka bërë thirrje të përsëritura që të përmirësohen raportet, por edhe administrata e re ka hezituar deri tani.

Një ditë më parë, Biden njoftoi se vendi i tij do të formojë një task-forcë speciale në Kinë, dhe do të rishikojë strategjinë ushtarake kundrejt Pekinit, për të garantuar paqen dhe interesat e SHBA-së në rajonin e Azi-Paqësorit.

SHKARKO APP