Uji i ndotur nga Fukushima në Japoni do të hidhet në det, ambientalistët japin alarmin: Do helmohet e gjithë bota
Japonia ka vendosur ta shkarkojë në oqean ujin radioaktiv të mbledhur në reaktorin e vjetër të Fukushimës prej më shumë se 10 vitesh.
Vendi ka depozituar mbi 1 milion e 300 mijë tonë ujë në cisterna të posaçme, por kompania që i administron ato thotë se nuk ka më hapësira.
“Një panel ekspertësh e ka studiuar këtë problem për mbi 6 vite, dhe shkurtin e kaluar na raportuan se hedhja e ujit të trajtuar në oqean do të ishte zgjidhja më realiste. Edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike e ka quajtur planin shkencërisht të arsyeshëm,” deklaroi kryeministri japonez, Joshihide Suga.
Edhe pse uji është filtruar nga shumica e elementëve radioaktivë, disa vlerësohet se përbëjnë rrezik për jetën e njeriut.
Organizatat ambientaliste dhe aktivistë në vendet fqinje me Japoninë e kundërshtojnë shkarkimin e tyre në det.
“Vendimi i qeverisë japoneze është mëkat ndaj botës. Do helmohet e gjithë bota.”
“Cisternat me ujin e kontaminuar u kujton popullit japonez katastrofën e Fukushimës. Ky është më shumë një akt politik për të fshirë kujtimin e asaj katastrofe, sesa vendim shkencor.”
“Edhe sikur të hedhin në det ujë radioaktiv të holluar, sasia e materialit radioaktiv mbetet e njëjta. Do të jetë katastrofë e pakthyeshme jo vetëm për ekosistemin detar, por edhe për qeniet njerëzore.”
Uji radioaktiv është akumuluar nga autoritetet japoneze që prej marsit të vitit 2011 kur një tërmet i shkallës 9 Rihter dhe një cunami përmbytën dhe shkatërruan centralin bërthamor të Fukushimës.