Ukraina digjet, Putini shkon në opera
Rebelët pro rusë pretendojnë se janë shumë pranë marrjes nën kontroll të qytetit Debaltseve, pranë Donjeckut, për të cilin po luftojnë prej disa ditësh tashmë.
Nëntë ushtarë ukrainas dhe shtatë civilë janë deri tani në bilancin e viktimave, ndërsa qindra të tjerë janë larguar nga shtëpitë për t’i shpëtuar bombardimeve dhe plumbave. Qyteti është një pikë nevralgjike për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore të Ukrainës, duke u vendosur kështu në listën e objektivave të rebelëve, për ta bërë fakt të kryer kontrollin e tij para bisedimeve të së mërkurës.
Sipas raportimeve në terren, dyshohet se kamionët që vijnë nga Rusia, të cilët supozohet të kenë ndihma dhe ushqime, janë të mbushur me karburant. Ndërsa kreu i OSBE-së, Lamberto Zanier, tha se rebelët duket të kenë gjithmonë armë të reja në duar, të cilat mund të vijnë vetëm nga lindja.
Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Barak Obama dhe Angela Merkel, diskutuan për mundësinë e dërgimit të armëve në ndihmë të ushtrisë qeveritare ukrainase, një nismë kjo që kundërshtohet nga Europa, por e mbështetur fort edhe nga republikanët në Kongresin Amerikan. Por ndërsa liderët perëndimorë janë takuar për të diskutuar para takimit të së mërkurës në Minsk, presidenti rus Vladimir Putin është relaksuar duke shijuar Operan e Kajros.
I mbërritur të hënën në Egjipt, në vizitën e parë prej dhjetë vitesh në vend, presidenti rus diskutoi me homologun egjiptian, Abdelfatah Al-Sisi, për eksportimin e grurit dhe gjithashtu forcimin e lidhjeve ushtarake mes palëve.
KOHA JONË SONDAZH

