Ulet numri i të infektuarve me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, 87 raste, 17 viktima

Bie numri i infektimeve me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut. Mësohet se në 24 orët e fundit janë regjistruar 17 viktima nga COVID-19 dhe 87 të infektuar. Të dhënat i referohen testimit të 2,953 testeve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në gjashtë ditët e kaluara numri i të infektuarve me koronavirus është ulur për 48,3% në krahasim me një javë më parë. Që nga fillimi i pandemisë, në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë diagnostikuar 154.891 raste, prej të cilëve 146.499 janë shëruar, 5.249 kanë vdekur ndërsa 3.143 persona ende janë aktiv me koronavirusin e ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Maqedonia e Veriut ndërkohë pret të furnizohet me 600 mijë vaksina në javën e parë të qershorit, ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Nga kjo shifër, 500 mijë vaksina janë kineze “Sinovac” dhe 100 mijë “Pfizer”. Ato pritet të mbërrijnë në Shkup përmes sistemit Covax, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ministri Filipçe tha se nuk pret që të ketë pengesa politike sa i takon furnizimit me vaksinën ruse “Sputnik”, pas vendimit të Ministrisë së Jashtme për dëbimit të një diplomati të Rusisë në ambasadën e saj në Shkup.

“Unë në asnjë moment gjatë takimeve të shumta dhe bisedave telefonike që kam me ambasadorin rus nuk ka asnjë njoftim për politizim të çështjes. Njoftimet e fundit janë se një sasi e caktuar e vaksinave do të arrijë deri në fund të majit, ne do të shohim nëse është kështu edhe do të ndodhë. Mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë zhvillim tjetër nga ato që ne presim”, ka deklaruar Filipçe. Sistemi i imunizimit të popullatës në Maqedoninë e Veriut, sipas ministrit Filipçe vazhdon në bazë të strategjisë së miratuar për vaksinimin e popullatës.

“Deri më tani, më shumë se 200 mijë qytetarë janë vaksinuar, nga të cilët 30 mijë janë rivaksinuar dhe gati 220 mijë kanë aplikuar për vaksinim. Tani po vaksinohen të gjithë qytetarët të cilët janë të regjistruar në sistem dhe janë të moshës mbi 40 vjet si dhe ata të moshës mbi 65 vjet që janë regjistruar pas 1 majit. Vaksinat shpërndahen sipas numrit të shtetasve të regjistruar. Gjasat janë që nga java e ardhshme të vaksinohen edhe punonjësit e mediave të moshës nën 40 vjeç”, ka deklaruar Filipçe.

SHKARKO APP