Vajzat yazidi “detyrohen” të vetëvriten pasi abuzohen seksualisht
Një numër i vajzave dhe grave Yazidi, që kanë qenë subjekt i përdhunimit dhe abuzimit seksual nga militantët e Shtetit Islamik, janë detyruar të bëjnë ose të planifikojnë vetëvrasje për t’iu shpëtuar tmerreve të robërisë, thuhet në një raport të organizatës Amnesty International.
Raporti, i titulluar “Ikja nga ferri” përfshin të dhëna të dorës së parë nga vajzat dhe gratë Yazidi në veri të Irakut, të cilat kanë ikur nga robëria.
Personat e armatosur të Shtetit Islamik kanë rrëmbyer qindra, nëse jo mijëra anëtarë të pakicës Yazidi në muajin gusht, pasi kanë marrë kontrollin e rajonit Sinjar në veri të Irakut.
Qysh atëherë, rreth 300 pengje, shumica gra dhe fëmijë, kanë arritur të ikin.
Dyzetedy gratë dhe vajzat që ka intervistuar organizata Amnesty International për raportin e saj, kanë dëshmuar se militantët e Shtetit Islamik i kanë përdhunuar ato dhe pengjet e tjera, i kanë torturuar, rrahur, kërcënuar, si dhe i kanë shtyrë në martesa të detyrueshme dhe skllavëri seksuale.
Disa vajza të intervistuara nga Amnesty International kanë thënë se kanë provuar të bëjnë vetëvrasje ose kanë parë vajza të tjera që kanë bërë një akt të tillë gjatë robërisë, për shkak të traumës.
Disa gra dhe vajza të arratisura kanë folur për Jilanin, një vajzë 19 vjeçe, e cila është vetëvrarë pëprara se të shitej te një militant i Shtetit Islamik.
Luna, një vajzë e arratisur, i ka thënë organizatës Amnesty International se ajo dhe Jilan kanë qenë pjesë e një grupi prej 21 vajzash, përfshrë një 10 vjeçe dhe një 12 vjeçe, të cilat janë mbajtur nga militantët e Shtetit Islamik në një dhomë të vetme.
Pak para se Jilan të vetëvritej, vajzave të robëruara u janë dhënë rroba “që dukeshin si kostume vallëzimi”. Luna ka thënë Jilan ka vrarë veten sepse “e ka ditur se do të merrej nga një burrë”.
Amnesty International ka intervistuar edhe një grua tjetër, 27 vjeçe, e cila ka thënë se ajo dhe motra e saj kanë bërë përpjekje të vrasin veten me shalle, pasi janë kërcënuar nga një militant se nëse ato nuk martohen me të dhe vëllain e tij, ai do t’i shesë ato.
Një grua e re ka thënë për organizatën Amnesty International se militantët e Shtetit Islamik kanë kërcënuar dhe rrahur vajzat dhe gratë e robëruara, nëse ato kanë rezistuar të shkojnë me burra. Sipas saj, disa nga vajzat janë rrahur me kabllo elektrike.
Një tjetër grua ka thënë se militantët kanë ndarë gratë dhe vajzat e pamartuara nga të martuarat dhe fëmijët dhe fillimisht janë përqendruar në shitjen e vajzave të reja. Por, sipas saj, nuk janë kursyer as gratë shtatzëna dhe as ato me fëmijë.
Sipas dëshmive të grave të arratisura, të intervistuara nga Amnesty International, shumica e burrave të përfshirë në rrëmbimin dhe blerjen e tyre kanë qenë irakianë dhe sirianë, ndërsa më pak kanë qenë nga vendet arabishtfolëse ose nga jashtë Lindjes së Mesme.
Katër prej grave dhe vajzave të intervistuara kanë thënë se janë mbajtur në robëri në shtëpitë e dy militantëve australianë. Jo të gjithë burrat që kanë blerë vajza Yazidi kanë qenë militantë të Shtetit Islamik, ka thënë një banore e Mosulit. Sipas saj, disa blerës kanë qenë biznesmenë lokalë.
Gratë dhe vajzat Yazidi janë mbajtur në shtëpitë e rrëmbyesve së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre, ka thënë një e intervistuar tjetër.
Të afërmit e vajzave dhe grave që janë arratisur nga Shteti Islamik i kanë thënë organizatës Amnesty International se ato janë duke vuajtur efektet e traumve dhe se disa janë në rrezik të vetëvrasjes.
Randa, një vajzë 16 vjeçe, e cila ka ikur pasi është rrëmbyer, shitur dhe përdhunuar nga militantët, ka thënë së nëna dhe motra e saj vazhdojnë të mbahen peng në Mosul, ndërsa vëllai 10 vjeç dhe tezja në Tal Afar. Randa ka thënë se nëna e saj ka lindur fëmijë derisa ka qenë në robëri.
Në raportin e saj, organizata Amnesty International ka thënë se gratë dhe vajzat që kanë ikur nga Shteti Islamik janë në “situatë të ankthit të rëndë emocional”.
Ato, jo vetëm që duhet të luftojnë me traumat e përvojave të tyre, por shumica kanë anëtarë të familjes që vazhdojnë të mbahen peng nga Shteti Islamik. Të arratisurat duhet të përballen edhe me të jetuarit si persona të zhvendosur, thuhet në raportin e organizatës Amnesty International. /REL