Vaksina ruse Sputnik V, ja pse BE-ja ende nuk e ka miratuar

Ndryshe nga vaksinat Pfizer-BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca, vaksina ruse kundër Covid-19, Sputnik V është ende në pritje të dritës së gjelbër nga Agjencia Europiane e Barnave. Vaksinimi me Sputnik V ka nisur vetëm në Hungari pasi kryeministri Viktor Orbán kritikoi BE-së se po vendoste në rrezik jetët e qytetarëve dhe autorizoi përdorimin e vaksinës për gjashtë muaj.

Vende si Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë filluar vaksinimin e qytetarëve me vaksinën ruse, ndërsa autoritetet ruse kanë konfirmuar se në total janë 31 shtete që po administrojnë Sputnik V.

Një studim nga revista shkencore ”The Lancet”, ka zbuluar se vaksina ruse është 91.6 për qind efikase ndaj rasteve që kanë shfaqur simptomat e Covid-19, Moska dhe Brukseli vijojnë përplasjet për shkak të ritmit të ngadaltë të entit rregullator europian të barnave.

BE “e angazhuar për të siguruar të dhëna të paraqitura të plota”

Sipas EMA, vaksina ruse është subjekt i të njëjtit proces vendim-marrjeje ashtu si të gjithë vaksinat e tjera anti-covid, por problemi qëndron se nuk janë paraqitur të dhënat e plota në mënyrë që të vijojë procesi. Hapi i parë është “rishikimi i vazhdueshëm” dhe testet klinike.

“Ata duhet të paraqesin të gjitha të dhënat, t’i nënshtrohen një procesi të plotë rishikimi, ashtu si gjithë vaksinat e tjera”, u shpreh Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen për vaksinën e prodhuar nga Rusia më 17 shkurt.

Vetëm tri vaksina kanë marrë autorizimin e BE: Pfizer-BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca. Një e katërt nga Johnson & Johnson pritet të aplikojë për autorizim. Prodhuesit e vaksinës ruse këmbëngulin nga ana tjetër se kërkesa për rishikim të vazhdueshëm është dorëzuar.

SHKARKO APP